spurgeon dev 08 nëntor am
Nëntor 2023

Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin…

Kolosianëve 2:6

Jeta e besimit paraqitet si marrje—një veprim që nënkupton krejt të kundërtën e çdo gjëje të ngjashme me meritën. Është thjesht pranimi i një dhurate. 

Ashtu si toka përpin ujin e shiut, ashtu si deti pret prurjet e lumenjve, ashtu si nata pranon dritën e yjeve, kështu edhe ne, pa dhënë asgjë, marrim falas nga hiri i Perëndisë. Besimtarët nuk janë puse ose burime për nga natyra; ata janë thjesht cisterna në të cilat rrjedh uji i gjallë; janë enë të zbrazëta në të cilat Perëndia derdh shpëtimin e Tij. 

Nocioni i marrjes nënkupton një ndjesi realizimi, sepse bëhet fjalë për bërjen realitet të diçkaje. Po kështu, dikush nuk e merr dot si duhet një hije; ne marrim vetëm atë që është vërtet e prekshme: kështu ndodh edhe në jetën e besimit—Krishti bëhet i vërtetë për ne. 

Derisa të kthehemi në besim, Jezusi është vetëm një emër për ne—një person i cili jetoi shumë kohë më parë, kaq shumë kohë më parë, saqë jeta e Tij është vetëm një histori për ne tani! Jezusi bëhet një person i vërtetë në brendësinë e zemrës sonë vetëm përmes një akti besimi. Mirëpo, marrja nënkupton gjithashtu kapjen apo shtënien në zotërim të diçkaje. Gjëja që marr bëhet e imja: e bëj timen atë që më është dhënë. 

Kur e marr Jezusin, Ai bëhet Shpëtimtari im, kaq imi, sa as jeta dhe as vdekja nuk mund të më largojnë prej Tij. Ja, pra, ç’do të thotë ta marrësh Krishtin—do të thotë ta marr Atë si dhuratë falas prej Perëndisë, ta bëj Atë realitet në zemrën time, por edhe ta bëj timin. 

Shpëtimi mund të përshkruhet si i verbri që merr dritën e syve, shurdhi që merr dëgjimin, i vdekuri që kthehet në jetë; mirëpo, jo vetëm që i kemi marrë këto bekime—por kemi marrë Vetë Krishtin Jezus. Është e vërtetë se Ai na dha jetë kur ishim të vdekur.

Ai na dha faljen e mëkateve; na dha të veshim drejtësinë e Tij. Të gjitha këto janë gjëra të vyera, por nuk kënaqemi vetëm me to; ne kemi marrë Vetë Krishtin. Biri i Perëndisë është derdhur brenda nesh, dhe ne e morëm edhe e bëmë tonin. Sa zemërmadh që është Jezusi, sepse as qielli vetë nuk mund ta nxërë atë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin