spurgeon dev 08 nëntor pm
Nëntor 2023

“Mësuesi thotë: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”

Marku 14:14

Jerusalemi në kohën e Pashkës kthehej në një bujtinë të madhe; çdo zot shtëpie kishte ftuar miqtë e të afërmit e vet, por asnjë nuk e kishte ftuar Shpëtimtarin, i cili nuk kishte asnjë banesë të Vetën. Vetëm falë fuqisë të Tij të mbinatyrshme, Ai gjeti një dhomë të epërme ku të festonte [bashkë me dishepujt e Tij]. E njëjta gjë ndodh edhe sot—bijtë e njerëzve nuk e pranojnë Jezusin, përveç rastit kur, me anë të fuqisë dhe hirit të Tij të mbinatyrshëm, Ai e bën zemrën e dikujt të re. Princi i errësirës i ka mjaft të hapura dyert gjithandej, por Jezusi duhet ta çajë Vetë rrugën ose përndryshe do të bujtojë në rrugë. 

Falë fuqisë së mistershme të ushtruar nga Zoti ynë, i zoti i shtëpisë nuk pati asnjë kundërshtim, por menjëherë e hapi me gaz e hare odën e miqve. Nuk e dimë se kush dhe çfarë ishte, por dimë se e pranoi pa ngurruar aspak nderin që donte t’i bënte Shpengimtari. Në një mënyrë të ngjashme, ne ende mund t’i dallojmë qartë se cilët janë të zgjedhurit e Zotit dhe cilët nuk janë, sepse kur Ungjilli vjen te disa, ata e kundërshtojnë dhe nuk duan ta pranojnë; por kur dikush e merr atë duke e mirëpritur, kjo është një shenjë e sigurt se një vepër e mistershme po ndodh në shpirtin e tij dhe se Perëndia e ka caktuar për jetën e përjetshme. Lexues i dashur, a je i gatshëm ta pranosh Krishtin? 

Atëherë nuk do të hasësh asnjë vështirësi gjatë rrugës. Krishti do të jetë mysafiri yt; fuqia e Tij po punon brenda teje, duke të bërë të gatshëm. Çfarë nderi është ta mirëpresësh Birin e Perëndisë! Qiejt e qiejve nuk e mbajnë dot Atë, dhe megjithatë, Ai zbret e na begenis duke e bërë banesën në zemrat tona! Nuk jemi të denjë që të vijë nën strehën tonë, por ç’privilegj i patregueshëm është kur na begenis e hyn brenda mureve të saj! Pasi atëherë Ai organizon një gosti dhe na bën të festojmë me Të, me nozullimet e Tij mbretërore; ulemi në një banket ku gjellët janë të pavdekshme dhe u falin pavdekësinë atyre që ushqehen me to. I bekuar ndër bijtë e Adamit është ai që e mirëpret Zotin e engjëjve!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin