Mars 2023

…me shumë mundime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.

Veprat e Apostujve 14:22

Njerëzve të Perëndisë nuk u mungojnë sprovat. Kur Perëndia e zgjodhi popullin e Vet, nuk ishte asnjëherë plani i Tij që ata të mos sprovoheshin. Ata u zgjodhën në furrën e pikëllimit, pra, nuk u zgjodhën kurrë për të shijuar paqen dhe gëzimin e kësaj bote. Atyre nuk iu premtua ndonjëherë se do të ishin të përjashtuar nga sëmundjet dhe dhimbjet e vdekshmërisë; por, kur Zoti hartoi statutin e privilegjeve, e përfshiu edhe disiplinimin mes zotërimeve të pashmangshme të trashëgimisë së tyre. 

Sprovat janë pjesë e përvojës sonë; ato ishin paracaktuar për ne në testamentin e fundit të Jezusit. Ashtu si është e sigurt se yjet morën formë prej duarve të Tij dhe se orbitat e tyre u caktuan prej Tij, po aq e sigurt është se sprovat janë pjesa që na është caktuar. Perëndia ka caktuar kohën, vendin dhe intensitetin e tyre, si edhe ndikimin që ato do të kenë mbi ne. Njerëzit e mirë nuk duhet të mendojnë kurrë se do t’u shpëtojnë vështirësive. Nëse e bëjnë këtë, ata do të zhgënjehen, sepse asnjë nga pararendësit e tyre nuk jetoi pa to. 

Sillni ndër mend durimin e Jobit; kujtoni Abrahamin, sepse edhe ai kaloi mes sprovash dhe duke i kapërcyer me besim, ai u kthye në atin e të gjithë atyre që besojnë. Lexojini me vëmendje jetëshkrimet e të gjithë patriarkëve, profetëve, apostujve dhe martirëve, dhe keni për të zbuluar se asnjë prej atyre që Perëndia i ktheu në enë mëshire, nuk mbetën pa kaluar përmes zjarrit të pikëllimit. 

Perëndia ka caktuar që kryqi i vuajtjes duhet të gdhendet mbi çdo enë mëshire, ashtu si emblema mbretërore që dallon enët e nderit të Mbretit. Mirëpo, megjithëse mundimi është, në fakt, udha e fëmijëve të Perëndisë, ata i ngushëllon fakti që Zoti i tyre e ka përshkuar atë përpara tyre. Prania dhe mirëdashja e Tij i ngazëllen ata; hiri i Tij i mbështet, ndërsa shembulli i Tij i mëson se si të durojnë, dhe kur të arrijnë në “mbretëri”, Ai do t’i shpërblejë për “shumë mundime” përmes së cilave kaluan për të hyrë në të.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin