Mars 2023

Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni [bir i pikëllimit], por i ati e quajti Beniamin [bir i të djathtës sime].

Zanafilla 35:18

Çdo çështje ka anën e saj të ndritshme, ashtu siç ka edhe atë të errët. Rakela rënkonte nën dhimbjet lindjes dhe për shkak të afrimit të vdekjes, ndërsa Jakobi, tek vajtonte humbjen e së shoqes, arriti ta dallonte mëshirën e lindjes së foshnjës. Është gjë e mirë për ne, se kur mishi vajton nën sprova, besimi ynë ngadhënjen në besnikërinë hyjnore. Luani i Sansonit u kthye në një mori bletësh dhe mjaltë, po kështu do të ndodhë edhe me të gjitha vështirësitë tona, nëse i shohim nga këndvështrimi i duhur. Deti i stuhishëm ushqen turma të tëra me peshqit e tij; pylli mbushet me lulëza të bukura; murrlani i zhduk sëmundjet, ndërsa cikna e acartë e shkrifton tokën. Retë e zeza shtrydhin pika xixëlluese uji, ndërsa nga dheu i zi mbijnë lule të bukura. Po ashtu, një damar mirësie gjendet në çdo minierë ligësie. Zemrat e trishtuara kanë aftësinë e veçantë për të zbuluar këndvështrimin më të zymtë prej të cilit e kundrojnë një sprovë; edhe sikur kjo botë të kishte një moçal të vetëm, ato shpejt do të zhyteshin deri në grykë në të, edhe sikur një luan i vetëm të ishte në shkretëtirë, prapëseprapë do ta dëgjonin atë të vrumbulliste.

Të gjithë ne kemi një nuancë të kësaj marrëzie të mjerë, dhe të gjithë, porsi Jakobi, kemi prirjen që të klithim ndonjëherë: “Gjithçka më është ngritur kundër.” Të ecësh me besim do të thotë t’i hedhësh të gjitha shqetësimet mbi Zotin dhe pastaj të presësh rezultate pozitive nga fatkeqësitë më të tmerrshme. Porsi njerëzit e Gedeonit, besimi nuk e vret mendjen për enën e thyer, por gëzohet që pishtari flakëron edhe më tepër. Nga guaska e fortë e vështirësisë, besimi nxjerr perlën e rrallë të nderit dhe nga shpellat e thella nënujore të vuajtjes nxjerr koralin e paçmueshëm të përvojës. Kur tërhiqen baticat e begatisë, besimi gjen thesaret e fshehura në ranishtë; dhe kur perëndon dielli i tij i haresë, ai e kthen teleskopin e vet të shpresës drejt premtimeve yjore të qiellit. Atëherë kur shfaqet vetë mortja, besimi na drejton te drita e ringjalljes përtej varrit, duke e kthyer kështu Ben-Onin që po jep shpirt, në Beniaminin tonë të gjallë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin