Maj 2023

Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri [paqe].

Jobi 22:21

Në mënyrë që të “pajtohemi [si duhet] me Perëndinë dhe të kemi paqe”, duhet ta njohim Atë ashtu siç e ka zbuluar Vetveten, jo vetëm në njësinë e thelbit dhe qenies së Tij, por edhe në shumësinë e personave të Tij. Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë” (Zanafilla 1:26)—askush nuk duhet të kënaqet pa njohur diçka nga [Ai që foli në numrin shumës, duke thënë: “ta bëjmë”, nga i cili rrjedh edhe vetë qenia e njeriut].

Bëj çdo përpjekje të mundshme për ta njohur Atin! Qasju Atij në pendim të thellë dhe rrëfeji se nuk je i denjë të quhesh biri i Tij; merre puthjen e dashurisë së Tij; lëre të ta vërë në gisht unazën që është simboli i besnikërisë së Tij të përjetshme; ulu në tryezën e Tij dhe zemra t’u ngazëlloftë në hirin e Tij! 

Paskëtaj, ec përpara dhe përpiqu të mësosh sa më shumë rreth Birit të Perëndisë, i cili, edhe pse është shkëlqimi i lavdisë së Atit të Tij, e përuli Veten dhe u bë njeri për hirin tonë. Njihe Atë në kompleksitetin e veçantë të natyrës së Tij: Perëndi i përjetshëm, por prapëseprapë, njeri i fundëm dhe i përvuajtur; ndiqe Atë tek shkel mbi ujërat me ecjen e hyjnisë dhe tek ulet pranë pusit të Jakobit, i rraskapitur nga lodhja e natyrës njerëzore. Mos u kënaq derisa ta njohësh mirë Jezu Krishtin, si Mikun, Bariun dhe Bashkëshortin tënd, si Atë që është gjithçka për ty!

Mirëpo, mos e harro Frymën e Shenjtë dhe bëj të pamundurën për të pasur një ide të qartë të natyrës dhe karakterit të Tij, atributeve dhe veprave të Tij! Sodite Frymën e Zotit, i cili në fillimet [e kohërave] zhvendosej mbi kaosin, duke sjellë rregull, ndërsa tani hyn në kaosin e shpirtit tënd dhe krijon rregullin e shenjtërisë! Sodite Atë si Zotin dhe Dhënësin e jetës frymërore, si Ndriçuesin, Udhëzuesin, Ngushëlluesin dhe Shenjtëruesin! Sodite Atë tek zbret mbi kryet e Jezusit, dhe pastaj tek prehet edhe mbi ty!

Nëse vërtet e njeh Perëndinë, një besim i tillë përjetues, shkrimor dhe i mençur në Trininë është i yti; dhe një njohje e tillë të sjell paqe të vërtetë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin