Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.
Kënga e Këngëve 1:2
Nuk ka asgjë tjetër që mund t’i falë besimtarit kaq shumë gëzim sa përbashkësia me Krishtin! Besimtari, ashtu si njerëzit e tjerë, gjen kënaqësi në të mirat e zakonshme të jetës—mund të kënaqet edhe me dhuratat, edhe me veprat e Perëndisë, por në të gjitha këto, të marra ndarazi ose së bashku, ai nuk gjen dot një lumturi thelbësore të tillë, si ajo që gjendet te personi unik i Zotit të tij Jezus.
Ai ka një verë që asnjë vresht i kësaj bote nuk e nxjerr dot; Ai ka një bukë që asnjë nga fushat e Egjiptit nuk e prodhon dot. E ku tjetër mund të gjendet një ëmbëlsi të tillë, si ajo që kemi shijuar në përbashkësi me të Dashurin tonë? Sipas vlerësimit tonë, gëzimet e tokës nuk janë veçse lende për derra, në krahasim me Jezusin, manën qiellore.
Një kafshatë e dashurisë së Krishtit dhe një gllënjkë e përbashkësisë së Tij kanë më shumë vlerë për ne, sesa një botë e tërë e mbushur me kënaqësi mishore. E ku krahasohet byku me grurin? Xixat shkëlqyese me diamantin e vërtetë? Ëndrra me realitetin e lavdishëm? Po a mund të krahasohen vallë zbavitjet e kësaj jete me Zotin Jezus edhe në gjendjen e Tij më të përçmuar?
Nëse e njeh sadopak jetën e brendshme, ti do të rrëfesh se gëzimet tona më sublime, më të dëlira dhe më të qëndrueshme duhet të jenë fryti i pemës së jetës, e cila gjendet në mes të Parajsës së Perëndisë. Asnjë burim nuk nxjerr ujë më të ëmbël sesa pusi i Perëndisë, që u hap nga heshta e ushtarit. Çdo lumturi tokësore është prej kësaj bote, por përdëllimet e pranisë së Krishtit janë si Ai vetë, qiellore.
Sado të mund ta shqyrtojmë përbashkësinë tonë me Jezusin, nuk mund të gjejmë asnjë keqardhje zbrazëtie në të, sepse nuk ka fundërri në verën e tij dhe as miza të ngordhura në këtë pomadë. Gëzimi i Zotit është i qëndrueshëm, jetëgjatë dhe i paprekshëm nga kotësia. Urtësia dhe pjekuria na dëshmojnë se ai i qëndron provës së viteve, dhe është i denjë në kohë dhe në përjetësi të quhet “e vetmja kënaqësi e vërtetë”. Asnjë verë nuk ia kalon dashurisë së Jezusit për nga vlera ushqyese, përdëllimi, gazi dhe çlodhja! Le të pimë sa më shumë që të mundemi sonte.
© dritez.al 2024