spurgeon dev 08 gusht am
August 2023

Tjerrin rrjeta merimangash.

Isaiah 59:5

Pa shiko pak rrjetën e merimangës dhe dallo në të ilustrimin më mbresëlënës të fesë së hipokritit. Është projektuar në mënyrë të tillë, që të kapë prenë e tij: merimanga majmet me miza, dhe porsi ajo, edhe fariseu ka pjesën e vet të shpërblimit. Budallenjtë bien lehtë pre e fjalimeve të zhurmshme të shtinjakëve, madje edhe ata më të mençurit zor se mund t’u shpëtojnë atyre. Filipi e pagëzoi Simon magjistarin, ama u desh qortimi i ashpër i Palit që ta nxirrte papritmas në dritë shpalljen dhelparake të besimit të Simonit. Traditat, emri i mirë, lëvdatat, ngritja në detyrë dhe miza të tjera, janë karremat e vegjël që hipokritët vendosin në rrjetat e tyre për të na joshur.

Rrjeta e merimangës është ilustrimi më i mrekullueshëm i mjeshtërisë: pa shihe dhe admiro dredhitë e këtij gjahtari dinak. Feja e mashtruesit është po aq joshëse. Vallë, si ia del që ta paraqesë një gënjeshtër kaq flagrante si një të vërtetë? Vallë, si ia bën që t’i bëjë xhingërrimat e tij të duken kaq shumë si prej ari?

Rrjeta e merimangës përbëhet nga lënda e prodhuar prej vetë ajo. Bleta e mbledh dyllin nëpër lule, ndërsa merimanga nuk e bën këtë, e megjithatë prodhon fije kaq të gjata sa për një pezhishkë të tërë. Po kështu edhe hipokritët e gjejnë besimin dhe shpresën e tyre brenda vetes; spiranca e tyre është farkëtuar në të tyren kudhër, dhe po me duart e tyre e kanë prodhuar zinxhirin e saj. Ata vetë e hedhin themelin dhe po vetë i gdhendin shtyllat e shtëpisë së tyre, duke e përbuzur mendimin se janë borxhlinj ndaj hirit sovran të Perëndisë.

Mirëpo, rrjeta e merimangës është shumë e brishtë. Është punuar në mënyrë interesante, por jo për t’u qëndruar të gjitha sprovave. Nuk i reziston dot fshesës së pastrueses apo stapit të udhëtarit. Nuk nevojitet një shumicë topash për ta bërë copë-copë shpresën e hipokritit; mjafton një e fryrë ere për ta thyer atë. Pezhishkat e hipokritëve do të bien sakaq, me të filluar veprën e saj pastruese fshesa e shkatërrimit. Kjo na sjell ndër mend një mendim tjetër—pra, që pezhishka të tilla nuk duhen toleruar në shtëpinë e Zotit: Ai vetë do të kujdeset që ato dhe endësit e tyre të shkatërrohen krejtësisht. Shpirti im, sigurohu që të qëndrosh mbi diçka më të fortë e më të mirë sesa një pezhishkë! Merre Zotin Jezus si vendstrehimin tënd të përjetshëm!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>