spurgeon dev 08 gusht pm
August 2023

“Çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”

Marku 9:23

Shumë të krishterë të deklaruar janë përherë mes dyshimeve dhe frikërave, dhe mendojnë dëshpërimisht se kjo është gjendja normale e besimtarëve. Ky është një gabim, sepse “çdo gjë është e mundshme për atë që beson”; dhe është e mundur që ne të arrijmë në një fazë të jetës sonë të krishterë kur një dyshim apo një frikë të kthehet në një zog shtegtar që vetëm sa kalon përmes shpirtit tonë, por pa ngritur kurrë fole aty. Kur lexon për përbashkësitë sublime dhe intime të shenjtorëve të mirënjohur, ti psherëtin dhe pëshpërit në dhomën e zemrës sate: “Sa keq që këto gjëra nuk janë për mua!”.

O ti që ngjitesh, nëse e ushtron besimin tënd, shpejt do të qëndrosh mbi majën e tempullit të rrahur nga dielli, sepse “çdo gjë është e mundshme për atë që beson”. Ti dëgjon për bëmat që njerëzit e shenjtë kanë kryer për Jezusin—ato që kanë shijuar prej Tij, se sa shumë i ngjasonin ata Atij, dhe se si ia dolën të përballonin përndjekje të mëdha për hir të Tij—dhe ti thua me vete: “Sa për mua, unë jam krejt i pavlerë. Nuk do të mund t’i arrij dot kurrë lartësi të tilla.”

Mirëpo, nuk ka arritje shenjtorësh që nuk është e mundur edhe për ty. Nuk ekziston asnjë lartësi hiri, arritje frymërore, qartësi sigurie, vend shërbese, të cilin nuk mund ta arrish; ti mundesh vetëm nëse ke fuqinë për të besuar. Hidhe tej rrobën prej thesi dhe hirin, dhe ngrihu në dinjitetin e pozitës sate të vërtetë; nuk je i vobektë pasi kështu duhet të jesh, por sepse dëshiron të jesh i tillë. Nuk është e drejtë për ty që je fëmijë i Mbretit, që të dergjesh në pluhur. Ngrihu në këmbë! Froni i artë i sigurisë po të pret! Kurora e përbashkësisë me Jezusin është gati të ta zbukurojë ballin. Vishu me të purpurta dhe rroba liri të hollë, dhe jeto në mes të luksit çdo ditë; sepse nëse beson, mund të hash nga ushqimi mbretëror, toka jote do të rrjedhë qumësht e mjaltë, dhe shpirti yt do të jetë i kënaqur në Perëndinë! Mblidh duaj të artë hiri, sepse ata shtrihen përpara teje në fushat e besimit! “Çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>