spurgeon dev 08 dhjetor am
December 2023

Ke disa emra edhe në Sardë, që nuk i ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë.

Zbulesa 3:4

Mund ta kuptojmë që ky varg i referohet drejtësimit. “Do të ecin me mua të veshur në të bardha”; pra, do të shijojnë vazhdimisht ndjesinë e drejtësimit të tyre përmes besimit; ata do të kuptojnë se drejtësia e Krishtit u llogaritet atyre, se të gjithë janë larë nga mëkatet dhe janë bërë më të bardhë se bora e porsarënë. 

Mirëpo, po ashtu bëhet fjalë për gëzim e hare, sepse, për hebrenjtë, rrobat e bardha ishin një veshje për ditët e festave. Atyre “që nuk i ndotën petkat e tyre”, do t’u shndrijnë përherë fytyrat; ata do të kuptojnë se ç’donte të thoshte Salomoni kur tha: “Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua. Rrobat e tua qofshin të bardha në çdo kohë dhe vaji mos mungoftë kurrë mbi kokën tënde” (Predikuesi 9:7-8). 

Ai që është bërë i pëlqyer në Perëndinë, do të veshë rrobat e bardha të gëzimit dhe haresë tek ecën në përbashkësi të bekuar me Zotin Jezus. Atëherë, përse vallë ka kaq shumë dyshime, kaq shumë mjerim dhe vajtim? Kjo ndodh ngaqë shumë besimtarë i ndotin teshat e tyre me mëkate dhe gabime, dhe për pasojë e humbasin gëzimin e shpëtimit të tyre dhe përbashkësinë përdëllyese me Zotin Jezus; ata nuk ecin në rroba të bardha këtu poshtë. 

Premtimi gjithashtu bën fjalë për ecjen veshur në të bardha përpara fronit të Perëndisë. Ata që nuk i kanë ndotur teshat e tyre këtu poshtë, padyshim që do të marshojnë të veshur në të bardha në qiell, ku turma e veshur me të njëjtat petka i këndon haleluja të përjetshme Shumë të Lartit. Ata do të zotërojnë gëzim të paimagjinueshëm, lumturi të paëndërruar, hare të papërfytyrueshme dhe bekime hyjnore, të cilat ua kalojnë edhe dëshirave më të marra.

Të gjitha këto gjëra u takojnë atyre “që kanë një rrugë pa njollë” (Psalmi 119:1)—jo për shkak të meritave, as veprave të tyre, por për shkak të hirit. Ata do të ecin me Krishtin, të veshur në të bardha, sepse Ai i ka bërë “të denjë”. Në shoqërinë e Tij të ëmbël, ata do të pinë nga burimet e ujit të gjallë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin