spurgeon dev 08 dhjetor pm
December 2023

Në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfrit.

Psalmi 68:10

Të gjitha dhuratat e Perëndisë janë dhurata të përgatitura, të cilat ruhen për të plotësuar nevoja që Ai i ka parashikuar. Ai i parashikon nevojat tona; dhe, nga plotësia që ka mbledhur si thesar në Krishtin Jezus, siguron për të varfrit, i shtyrë nga mirësia e Tij. Mund t’i besosh Atij për çdo nevojë që mund të të dalë, sepse Ai e ka paranjohur në mënyrë të pagabueshme secilën prej tyre. Ai mund të thotë për ne në çdo rrethanë: “E dija se ti do të ishe kështu apo ashtu.”

Një njeri ndërmerr një udhëtim mes shkretëtirës, dhe pasi ka bërë një ditë udhë dhe ka ngritur tendën e tij, atëherë zbulon se i mungojnë shumë prej sendeve të domosdoshme e të nevojshme, të cilat nuk i ka sjellë me vete në çantën e tij. “Ah!”, thotë ai, “nuk e parashikova këtë. Sikur ta nisja prapë udhëtimin nga e para, do t’i merrja këto gjëra me vete—ato janë të domosdoshme për nevojat e mia.” Mirëpo, Perëndia i di tashmë të gjitha kërkesat e fëmijëve të Vet të gjorë e të hallakatur, dhe me t’u shfaqur ato nevoja, furnizimet janë gati. Është mirësi ajo që Ai ka përgatitur për skamnorët në frymë, mirësi dhe vetëm mirësi. “Hiri im të mjafton” (2 e Korintasve 12:9). “Forca jote vazhdoftë sa janë ditët e tua” (Ligji i Përtërirë 33:25).

Lexues, a mos është rënduar vallë zemra jote sonte? Perëndia e dinte se do të ndodhte kështu; ngushëllimi që kërkon zemra jote, fshihet si thesar në sigurinë e bekuar të këtij vargu. Ti je skamnor dhe nevojtar, por Ai ka menduar për ty dhe ka ruajtur pikërisht bekimin që ti kërkon.

Kërko përmbushjen e premtimit; beso në të dhe siguro përmbushjen e tij! A nuk e ndien vallë se nuk ke qenë asnjëherë më parë kaq i vetëdijshëm për mëkatin tënd sa je tani? Ja, burimi i purpurt rrjedh ende, me gjithë efektshmërinë e vet, për ta larë mëkatin tënd. Nuk do të biesh kurrë në një situatë të tillë, në të cilën Krishti nuk të ndihmon dot. Asnjëherë nuk do të arrish në një situatë në jetën tënde frymërore, në të cilën Jezu Krishti nuk do të jetë i aftë ta përmbushë nevojën urgjente, sepse historia jote ka qenë plotësisht e paranjohur dhe Perëndia ka siguruar për atë histori në Jezusin.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin