“Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd?”
Numrat 11:11
Ati ynë qiellor na dërgon vështirësi të shpeshta për ta sprovuar besimin tonë. Në qoftë se besimi ynë vlen diçka, atëherë me siguri do të dalë i paprekur nga sprova. Cipa e artë i druhet zjarrit, por vetë ari nuk i frigohet aspak atij; xhevahiri i rremë i druhet prerjes së diamantit, por guri i çmuar nuk i frigohet fare atij. Është një besim sipërfaqësor ai që i zë besë Perëndisë vetëm kur është mes miqsh të vërtetë, kur trupi është i shëndetshëm dhe biznesi i vete mbarë; por është i vërtetë ai besim, që mbështetet në besnikërinë e Zotit edhe atëherë kur shokët e kanë braktisur, trupi është i drobitur nga lëngata dhe shpirti është i shkurajuar, ndërsa drita e fytyrës së Atit është fshehur. Një besim që, mes halleve e vuajtjeve më të zeza, mund të thotë: “Edhe sikur të më vriste, prapëseprapë do të besoja tek Ai”* (Jobi 13:15), është vërtet një besim i lindur nga qielli.
Zoti u dërgon dhimbje dhe vuajtje shërbëtorëve të Tij për të përlëvduar Veten, sepse përlëvdohet shumë në hiret e njerëzve të Tij, të cilët janë vepra e duarve të Tij. Kur “shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4), Zoti nderohet nga rritja e këtyre virtyteve. Nuk do ta njihnim kurrë muzikën e harpës po qe se dikush nuk do t’u binte telave të saj, as do ta shijonim dot lëngun e rrushit po qe se nuk do të shtypej më parë në shtrydhësen e rrushit, as do ta zbulonim aromën e ëmbël të kanellës po qe se nuk do të thërrmohej e shtypej, dhe as do ta ndienim nxehtësinë e zjarrit po qe se edhe thëngjilli i fundit nuk do të kthehej në hi. Urtësia dhe fuqia e Perëndisë shfaqen vetëm përmes sprovave nëpër të cilat lejohen të kalojnë fëmijët e Tij.
Vuajtjet e tanishme kanë po ashtu prirje ta shtojnë gëzimin e së ardhmes. Pikturës i nevojiten dritëhijet për të nxjerrë më në pah bukurinë e ngjyrave. Si mund të ishim vallë të bekuar në mënyrë sublime në qiell, po qe se nuk do ta kishim njohur mallkimin e mëkatit dhe pikëllimin e kësaj bote? Vallë, a nuk është paqja edhe më e ëmbël pas luftës, dhe çlodhja edhe më e mirëpritur pas punës së mundimshme? Vallë, a nuk do të shërbejnë kujtimet e vuajtjeve të shkuara për të shtuar lumturinë e të përlëvduarve?
Ekzistojnë edhe shumë përgjigje të përshtatshme ndaj pyetjes me të cilën hapëm përsiatjen tonë të shkurtër; le të vazhdojmë të meditojmë rreth tyre në vazhdim të ditës.
*Shënim i redaktorit: Vargu është përkthyer fjalë për fjalë nga versioni i Biblës në gjuhën angleze King James Version (KJV).
© dritez.al 2024