spurgeon dev 07 pm
October 2023

“Te kush ke besim?”

Isaia 36:5

Kjo është një pyetje jetike, o lexues! Dëgjoje përgjigjen e të krishterit dhe shih nëse ajo është edhe e jotja. Kur e pyesin: “Te kush ke besim?”, i krishteri u përgjigjet: “Unë besoj në një Perëndi triun. I zë besë Atit, duke pasur besim se më ka zgjedhur përpara se të themelohej bota; besoj se Ai siguron për mua falë provanisë së Tij, se më mëson dhe më udhëheq, se më ndreq kur është e nevojshme, dhe se do të më marrë te shtëpia e Tij në të cilën ka shumë dhoma. 

Unë i besoj Birit, i cili është Perëndi prej Perëndie—njeriu Krishti Jezus. I besoj Atij që t’i largojë të gjitha mëkatet e mia falë flijimit të Tij, dhe të më veshë me drejtësinë e Vet të përsosur. I besoj Atij që të jetë Ndërmjetësuesi im, që t’i paraqesë lutjet dhe dëshirat e mia përpara fronit të Atit. Po ashtu, i besoj Atij që të jetë Avokati im në atë ditë madhështore të fundit, për të mbrojtur çështjen time dhe për të më shfajësuar. I besoj Atij për atë që është, për atë që ka bërë, si dhe për atë që ka premtuar të bëjë. 

Unë besoj gjithashtu në Frymën e Shenjtë, sepse ka filluar të më shpëtojë nga mëkatet e mia të lindura. I besoj Atij se do t’i shporrë të gjitha ato jashtë meje; besoj se do t’i vërë fre temperamentit tim, se do të ma nënshtrojë vullnetin, se do të ma ndriçojë mendjen, se do të m’i mbajë nën kontroll pasionet, se do të ma ngushëllojë shkurajimin, se do të më ndihmojë në dobësitë e mia, si dhe se do të ma ndriçojë errësirën. I besoj Atij që të banojë në mua si jeta ime, të mbretërojë në mua si Mbreti im, të më shenjtërojë plotësisht: frymë, shpirt e trup, dhe pastaj të më marrë të banoj me shenjtorët në dritë të amshuar.” 

Oh, ç’besim i bekuar—t’i zë besë Atij, fuqia e të cilit nuk do të shterojë kurrë, dashuria e të cilit nuk do të venitet asnjëherë, mirësia e të cilit nuk do të ndryshojë kurrë, besnikëria e të cilit nuk do të dështojë kurrë, urtësia e të cilit kurrë nuk do të hidhet poshtë, mirësia e përsosur e të cilit nuk do të pakësohet për asnjë çast! Lum si ti, o lexues, nëse edhe ti e ke këtë lloj besimi! Duke pasur një besim të tillë, do të gëzosh paqe të ëmbël sot dhe lavdi të amshuar nesër, dhe themeli i besimit tënd nuk do të tundet as sot e as mot.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>