spurgeon dev 07 shtator am
September 2023

Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, pasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

Marku 2:4

Besimi është plot krijimtari. Brenda në shtëpi nuk kishe as ku të hidhje një kokërr mollë, një turmë bllokonte hyrjen e saj, por besimi e gjeti një mënyrë krijuese për të shkuar te Zoti dhe për të sjellë një të paralizuar përpara Tij. Në qoftë se nuk mund t’i sjellim dot mëkatarët te Jezusi përmes metodave të zakonshme, atëherë bëjmë mirë të përdorim të jashtëzakonshmet. Po të lexosh Luka 5:19, duket se duheshin hequr tjegulla. Kjo do të shkaktonte pluhur dhe do ta rrezikonte disi jetën e atyre aty poshtë; mirëpo, në rast nevoje ekstreme, duhet të jemi të përgatitur të ndërmarrim disa rreziqe dhe t’i tronditim disa njerëz. Jezusi gjendej atje për të shëruar, dhe prandaj, me çati apo pa çati, besimi rrezikoi gjithçka për të bërë të mundur që këtij paralitiku të ngratë t’i faleshin mëkatet. Kemi nevojë për më shumë prej këtij besimi të guximshëm dhe plot krijimtari në mesin tonë! Lexues i dashur, le ta kërkojmë atë besim në këtë mëngjes për vete dhe për bashkëpunëtorët tanë, dhe të përpiqemi edhe ne sot, që të kryejmë ndonjë akt të guximshëm të shtyrë nga dashuria për shpirtrat e njerëzve dhe lavdia e Zotit!

Bota merret vazhdimisht me krijimtari dhe shpikje; gjenia i shërben të gjitha qëllimeve të dëshirës njerëzore: a nuk mund të shpikë gjithashtu edhe besimi, dhe t’i arrijë përmes mjetesh krijuese të humburit që nuk e njohin Ungjillin? Ishte pikërisht prania e Jezusit ajo që e ndolli këtë guxim ngadhënjimtar te katër miqtë e të paralizuarit. A nuk është Zoti edhe mes nesh sot? Po ne vetë, a e kemi parë fytyrën e Tij sot në mëngjes? A e kemi ndier vallë fuqinë e Tij shëruese në vetë shpirtrat tanë? Në qoftë se është kështu, atëherë, duke çarë përmes derës, dritares ose çatisë, le të shkallmojmë çdo pengesë për t’i sjellë të tjerët te Jezusi!

Kur besimi dhe dashuria kanë vërtet si qëllim fitimin e shpirtrave, do të mësojmë edhe ne që të jemi krijues në qasjen tonë. Në qoftë se uria për bukë mund t’i shtyjë njerëzit që të çajnë muret e gurta, me siguri që uria për t’i fituar shpirtrat nuk do të mund të pengohet në përpjekjet e saj. O Zot, na bëj të shpejtë të përpilojmë metoda dhe t’i zbatojmë ato për arritjen e miqve dhe fqinjëve tanë, dhe për t’i prezantuar ata me Ty!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>