Ka një stuhi të madhe në det, që nuk mund të qetësohet.
Jeremia 49:23
Zor se mund ta përfytyrojmë se çfarë stuhie mund të jetë tani mbi det. Ne jemi të sigurt në dhomën tonë të qetë, por larg, në mes të detit, uragani mund të jetë duke kërkuar mizorisht jetë njerëzish. Përfytyro se si fishkëllejnë erërat e forta mes direkëve dhe velave të anijes, se si kërcasin dërrasat e anijes kur dallgët përplasen si desh lufte pas saj! Perëndia ju ndihtë, shpirtra të lagur deri në palcë dhe të rraskapitur nga stuhia! Unë po i lutem Zotit të madh të detit dhe të tokës, që Ai ta qetësojë stuhinë dhe t’ju shpjerë në limanin e dëshiruar! Mirëpo, nuk duhet që thjesht të lutem; duhet të përpiqem t’u bëhem krah atyre burrave të fortë të cilët e vënë jetën kaq shpesh në rrezik. Vallë, a kam bërë ndonjëherë diçka për ta? E çfarë mund të bëj për ta tek e fundit? Sa shpesh ndodh që deti i papërmbajtshëm i gëlltit në thellësitë e tij detarët!
Me mijëra kanë vdekur në thellësi, aty ku gjenden edhe margaritarët. Ka pikëllim mbi dete, i cili jehon në vajtimet pambarim të vejushave dhe jetimëve. Kripa e detit gjendet në sytë e shumë grave dhe nënave. Shkulme të pamëshirshme, keni përpirë dashuritë e sa e sa grave dhe krahun e fortë të sa e sa familjeve! Çfarë ringjalljeje madhështore do të jetë ajo kur deti t’i dorëzojë të vdekurit e vet nga skutat e thellësitë së tij!
Mirëpo, deri atëherë do të ketë pikëllim në det. Sikur të ishte duke vuajtur bashkë me mjerimet e dheut, deti gërryen vazhdimisht me mijëra brigje, duke vajtuar me një britmë të përvajshme, duke buçitur me një kërcitje të mbytur trazimi, duke shkumëzuar me një pakënaqësi të zhurmshme, duke u pezmatuar me një zemërim të ngjirur ose duke cakëlluar me tingullin e dhjetëra e mijëra guralecëve murmuritës. Uturima e detit mund të jetë e lavdishme për shpirtin e hareshëm, por për birin e pikëllimit, oqeani i gjerë është edhe më i dëshpëruar sesa bota e madhe pa fund. Ky nuk është ngushëllimi ynë, dhe shkulmat e trazuar na e tregojnë këtë gjë. Mirëpo, ekziston një tokë ku deti nuk është më—fytyrat tona janë drejtuar tashmë drejt saj; ne jemi në rrugë drejt vendit për të cilin ka folur Zoti. Deri atëherë, i hedhim pikëllimet tona mbi Zotin që eci mbi detin e qëmotit dhe që bën një udhë për popullin e Vet mes thellësive të tij.
© dritez.al 2024