Ju që e doni Zotin urreni të keqen!
Psalmi 97:10
Ke një arsye të mirë për ta “urryer të keqen”, mjafton të shqyrtosh dëmin që ajo të ka shkaktuar tashmë. Oh, ç’pështjellim e rrëmujë ka sjellë mëkati në zemrën tënde! Mëkati të verboi, që të mos mundeshe ta shihje dot bukurinë e Shpëtimtarit; të shurdhoi, që të mos mundeshe t’i dëgjoje thirrjet dashamirëse të Shpengimtarit. Mëkati të shtyu që të ecje në udhën e vdekjes dhe derdhi helm në vetë burimin e qenies sate; ta fëlliqi zemrën dhe e bëri atë “gënjeshtare mbi çdo gjë dhe të ligur keq” (Jeremia 17:9).
Oh, ç’krijesë ishe kur e keqja kishte bërë ç’të donte me ty, përpara se hiri hyjnor të ndërhynte! Ti ishe një trashëgimtar i zemërimit, ashtu si të tjerët; ti madje shkoje pas turmës për të bërë të keqen. Të tillë ishim të gjithë ne, por, siç na kujton Pali, “u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe nëpërmjet Frymës së Perëndisë tonë” (1 e Korintasve 6:11).
Pra, me të vërtetë kemi shumë arsye për ta urryer të keqen kur e hedhim vështrimin pas në kohë dhe shquajmë nga larg veprat e saj vdekjeprurëse. Ne ishim në një gjendje kaq të mjerë, sa shpirtrat tanë do të kishin humbur po të mos kishte ndërhyrë dashuria e gjithëpushtetshme për të na shpenguar. Madje edhe tani, e keqja mbetet armiku ynë i përbetuar, gjithë kohës duke u përpjekur të gjejë mënyra për të na dëmtuar dhe për të na tërhequr drejt humbjes.
Prandaj, “urreje të keqen”, o i krishterë, nëse nuk do të të bëjë ndonjë zarar. Nëse do që ta mbulosh shtegun tënd me gjembaçë dhe ta mbushësh jastëkun tënd me hithra, atëherë lëre pas dore “urrejtjen e së keqes”; por në qoftë se dëshiron të jetosh një jetë të lumtur dhe të vdesësh në paqe, atëherë ec në të gjitha udhët e shenjtërisë, duke e urryer të keqen deri në fund të jetës sate. Nëse e do me të vërtetë Shpëtimtarin tënd dhe dëshiron ta nderosh Atë, atëherë “urreje të keqen”! Nuk dimë që për një të krishterë të ketë një ilaç më të mirë kundër dashurisë për të keqen, sesa përbashkësia e përditshme me Zotin Jezus. Qëndro shpesh me Të dhe do ta kesh të pamundur të jesh në paqe me mëkatin!
Fjala Jote t’miat hapa t’i drejtojë,
Zot, zemrën time ta bëjë të sinqertë;
Mëkatin mos e lër të zotërojë,
Por ruaje ndërgjegjen time t’kthjellët.
© dritez.al 2024