spurgeon dev 07 qershor pm
Qershor 2023

“Ji i zellshëm.”

Zbulesa 3:19

Nëse do të shohësh shpirtra të konvertohen, nëse do të dëgjosh britmën që “mbretëritë e botës u bënë të Zotit tonë” (Zbulesa 11:15), në qoftë se do të vendosësh kurora mbi kryet e Shpëtimtarit dhe ta shohësh fronin e Tij të lartësohet, atëherë mbushu plot me zell! Sepse Perëndia ka vendosur që mënyra se si do të shpëtohet bota, do të jetë me anë të zellit të kishës së Tij. Çdo element i hirit do të bëjë punën e vet, por zelli do të jetë i pari. Në fakt, maturia, njohuria, durimi dhe guximi do të pasojnë pa mënuar, por vetëm zelli mund t’ua hapë rrugën atyre. Nuk është madhësia njohurisë sate, edhe pse ajo është e dobishme, nuk është madhësia e talentit tënd, edhe pse ai nuk duhet përbuzur, por është zelli yt që do të kryejë bëma të mëdha.

Ky zell është një fryt i Frymës së Shenjtë: ai e merr forcën e tij jetësore nga veprimet e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë në shpirtin [e besimtarit]. Nëse jeta jonë frymërore është në të sosur, nëse zemra jonë nuk rreh fort përpara Perëndisë, nuk do ta njohim zellin; mirëpo, në qoftë se gjithçka është e fortë dhe e gjallë brenda nesh, atëherë nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të kemi ndjenjën e urgjencës plot dashuri për të parë ardhjen e mbretërisë së Krishtit dhe kryerjen e vullnetit të Tij këtu mbi tokë, ashtu siç kryhet edhe në qiell.

Zelli i krishterë ushqehet nga një ndjesi e thellë mirënjohjeje. Duke parë gropën e moçalit prej së cilës u nxorëm, zbulojmë plot arsye për ta derdhur veten për Perëndinë. Po ashtu, zelli nxitet nga mendimi i së ardhmes së përjetshme. Ai vështron me sy plot lot drejt flakëve të ferrit dhe nuk ia bën zemra të dremisë: i hedh një vështrim të ethshëm lavdive të qiellit dhe nuk rri dot pa u vënë në lëvizje. Ndien se koha [në dispozicion] është e shkurtër krahasuar me punën që është për t’u bërë, prandaj ia përkushton gjithçka që ka, kauzës së Zotit të tij. Po ashtu, fuqizohet vazhdimisht duke kujtuar shembullin e Krishtit. Jezusi ishte veshur me zellin si me një mantel. Sa i shpejtë ishte Jezusi kur vinte puna për të kryer detyrën! Si nuk u vonua njëherë xhanëm për ta kryer atë! Le të japim prova që jemi dishepujt e Tij, duke shfaqur të njëjtin shpirt të zellshëm.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin