Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime?
Psalmi 4:2
Një autor mendjemprehtë ka përgatitur një listë të përzishme të nderimeve që populli i Izraelit, në verbërinë e tij, ia bëri Mbretit të vet të shumëpritur.
1. Ata i bënë një kortezh nderi, në të cilin morën pjesë legjionarët romakë, priftërinjtë judenj, burra e gra, dhe ku Ai Vetë ishte duke mbajtur kryqin e Tij. Ky është triumfi me të cilin bota e shpërblen Atë që vjen për të mposhtur armikun më të tmerrshëm të njerëzimit. Britmat sharëse zëvendësojnë brohoritjet, ndërsa talljet mizore ua zënë vendin këngëve të lavdërimit.
2. Ata i dhanë Atij verën e nderit. Në vend të një kupe të artë me verë të mirë, ata i ofruan Atij dozën e anestetikut që i jepej keqbërësit, të cilin ai e refuzoi, në mënyrë që të mund ta shijonte vdekjen në gjithë tmerrin e saj të plotë. Dhe pastaj, kur Ai thirri: “Kam etje”, ata i dhanë uthull të përzier me vrer, duke ia shtënë me forcë në gojë me anë të një sfungjeri. Oh, ç’mungesë e tmerrshme dhe e poshtër mikpritjeje për Birin e Mbretit!
3. Në shërbim të Tij u vu një rojë nderi, anëtarët e së cilës e shprehën nderimin e madh që kishin për Të duke hedhur short për veshjet e Tij, të cilat i kishin zënë si plaçkën e tyre. Truproja e Jezusit ishte një tufë kumarxhinjsh të pashpirt.
4. Për Të u gjet një fron nderi mbi drurin e përgjakur. Kryqi ishte, në fakt, shprehja më e qartë e ndjenjave që ushqente bota ndaj Tij. “Aty të rrish”, duket sikur po thoshin ata, “Ti Bir i Perëndisë, dije se kjo është mënyra se si duhet të trajtohet edhe vetë Perëndia, po të mund ta arrinim Atë.”
5. Titulli i nderit ishte formalisht “Mbreti i judenjve”, por kjo u hodh poshtë hapur. Në të vërtetë, ata e quajtën “Mbreti i kusarëve”, duke parapëlqyer Barabën dhe duke e vendosur Jezusin në vendin e turpit më të madh, në mes të dy hajdutëve. Kështu, bijtë e njerëzve e kthyen lavdinë e Tij në një turp, por megjithatë, ajo do t’i gëzojë në përjetësi sytë e shenjtorëve dhe të engjëjve.
© dritez.al 2024