spurgeon dev 07 nëntor am
Nëntor 2023

Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia.

Isaia 49:16

Nuk ka dyshim që një pjesë e habisë së përqendruar në fjalën “Ja” shkaktohet nga kontrasti me vajtimin mosbesues që gjendet në një nga fjalitë pararendëse. “Sioni ka thënë: ‘ZOTI më ka braktisur; Zoti më ka harruar.’” Sa i habitshëm duket ky mosbesim i lig për mendjen hyjnore! 

A mund të ketë gjë më tronditëse sesa dyshimet dhe frikërat e paarsyeshme të popullit të bekuar të Perëndisë? Qortimi plot dashuri i Zotit duhet të na bëjë të skuqemi.

Ai thërret: “Si mund të të harroj kur të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia? Si guxon të dyshosh në kujtesën Time të pandërprerë, kur përkujtuesi është gdhendur në vetë mishin tim?”. O mosbesim, sa dukuri e çuditshme që je! Nuk e dimë se me çfarë të habitemi më tepër—me besnikërinë e Perëndisë apo me mosbesimin e popullit të Tij. Ai i mban premtimet në çdo kohë, por, megjithatë, mjafton një sprovë dhe ne zëmë e dyshojmë në Të. 

Ai nuk dështon asnjëherë; Ai është pus që nuk thahet kurrë; nuk është kurrë si dielli që perëndon, apo meteori që bie, apo avulli që zhduket; ndërsa ne, prapëseprapë, shqetësohemi vazhdimisht nga ankthi, na ngacmojnë dyshimet dhe na trazojnë frikërat, sikur Perëndia ynë të mos ishte gjë tjetër veçse një mirazh shkretëtire. 

“Ja” është një fjalë që synon të zgjojë tonin admirim. Këtu po që kemi një arsye për t’u mrekulluar. Qielli dhe toka me të drejtë mund të habiten nga fakti që rebelë [të tillë si puna jonë] gjenden kaq pranë zemrës së dashurisë të pafundme, aq sa të jenë shkruar mbi pëllëmbët e duarve të Tij. “Të kam gdhendur [ty].” Nuk thotë: “Emrin tënd”. 

Emri yt është atje, por gjërat nuk mbarojnë me kaq: “Të kam gdhendur [ty].” Pa mendo se sa e thellë është kjo gjë! “Kam gdhendur personin tënd, imazhin tënd, rrethanat e tua, mëkatet e tua, tundimet e tua, dobësitë e tua, nevojat e tua dhe veprat e tua; të kam gdhendur ty, gjithçka rreth teje, gjithçka që ka të bëjë me ty; të gjitha këto të marra së bashku i kam gdhendur këtu.”

A do të thuash herë tjetër se Perëndia të ka braktisur kur Ai të ka gdhendur mbi pëllëmbët e të Tijave duar?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin