“Dhe do të më bëheni dëshmitarë.”
Veprat e Apostujve 1:8
Në qoftë se do të mësosh se si ta kryesh detyrën tënde si një dëshmitar për Krishtin, ndiq shembullin e Tij. Ai dëshmonte vazhdimisht—pranë pusit të Samarisë ose në tempullin e Jerusalemit; në breg të Detit të Galilesë apo në faqen e malit. Ai dëshmonte ditë e natë; lutjet e Tij të fuqishme ishin po aq kumbuese për Perëndinë, sa edhe shërbesa e Tij e përditshme. Ai dëshmoi në çdo rrethanë. Skribët dhe farisenjtë nuk mundën t’ia mbyllnin gojën; madje edhe përpara Pilatit, ai dha rrëfimin e mirë të besimit. Ai dëshmonte kaq qartë dhe në mënyrë të pakundërshtueshme, saqë nuk mund të gaboje për ta kuptuar Atë. I krishterë, ktheje jetën tënde në një dëshmi të qartë! Ji si ai burimi ku mund të dallohet çdo gur e guralec në fundin e tij—dhe jo si një përrua i turbullt, tek i cili mund të dallohet vetëm sipërfaqja, por ji i kulluar dhe transparent, me qëllim që dashuria e zemrës sate për Perëndinë dhe njeriun të mund të jetë e dukshme për të gjithë! S’ke nevojë të thuash: “Unë jam i sinqertë”; ji i sinqertë! Mos u mburr për integritetin, por ji i ndershëm! Kështu do të ndodhë që dëshmia jote të jetë e tillë, që njerëzit të mos mbeten pa e dalluar atë. Mos e pengoftë kurrë dëshminë tënde frika që mund të kesh nga njerëzit e dobët! Buzët e tua janë pastruar me një thëngjill të marrë nga altari; folshin ato përherë si buzë të prekura nga qielli! “Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë” (Predikuesi 11:6).
Mos i shih retë dhe as mos pyet erën; me kohë e pa kohë dëshmo për Shpëtimtarin, dhe në qoftë se ndodh që për hir të Krishtit dhe të Ungjillit të duhet të heqësh vuajtje të llojllojshme, mos u tërhiq, por, përkundrazi, gëzohu me nderin që të është bërë, sepse je konsideruar i denjë për të vuajtur bashkë Zotin tënd! Gëzohu edhe për këtë—se vuajtjet, humbjet dhe përndjekjet e tua do të krijojnë një platformë prej së cilës do të dëshmosh për Krishtin Jezus me më shumë hov e me ngulm dhe me fuqi më të madhe. Studioje shembullin tënd të madh dhe mbushu me Frymën e Tij! Kujtoji vetes se të nevojitet shumë mësim, shumë mbështetje, shumë hir dhe shumë përulësi, në qoftë se dëshmia jote do të jetë për lavdinë e Mësuesit tënd!
© dritez.al 2024