Mars 2023

“Kini besim në Perëndinë!”

Marku 11:22

Besimi i jep këmbë shpirtit, duke e fuqizuar këtë të fundit të marshojë përgjatë udhës së urdhëresave. Dashuria mund t’i bëjë këmbët të lëvizin me shpejtësi, por besimi është këmbët mbi të cilat qëndron shpirti i njeriut. Besimi është vaji që i bën rrotat e përkushtimit të shenjtë dhe përshpirtshmërisë së zellshme të rrotullohen pa vështirësi; ndërsa në mungesë të tij, rrotat shkëputen nga koçia dhe ne mezi hiqemi zvarrë. Me besim mund të bëj gjithçka, kurse pa besim nuk do të kem as dëshirën dhe as fuqinë për të bërë edhe gjënë më të vogël në shërbim të Perëndisë. 

Nëse do të gjesh njerëzit që i shërbejnë më së miri Perëndisë, atëherë duhet të kërkosh njerëz të besimit. Besimi i pakët mund ta shpëtojë njeriun, por nuk mund të bëjë gjëra të mëdha për Perëndinë. Besimpaku i gjorë nuk mund të kishte luftuar dot me “Apolionin”, sepse për këtë nevojitej “I Krishteri”. Besimpaku nuk mund ta vriste “Gjigant Dëshpërimin”, sepse nevojitej krahu i “Zemërmadhit” për ta nxjerrë jashtë loje atë përbindësh. Besimpaku do të shkojë në qiell gjithsesi, por atij i duhet të mbyllet shpesh në guaskën e vet dhe shpesh humb gjithçka tjetër, përveç gurëve të tij të çmuar. Besimpaku thotë: “Është një rrugë e vështirë, e mbushur me gjemba të mprehtë dhe plot me rreziqe. Kam frikë të kaloj andej”, ndërsa Besimmadhi kujton premtimin e Perëndisë: “Sandalet e tua qofshin prej hekuri dhe prej bronzi dhe forca jote vazhdoftë sa janë ditët e tua” (Ligji i Përtërirë 33:25); dhe kështu niset me guxim. Besimpaku rri i paralizuar nga dëshpërimi, duke i përzier lotët me ujërat e përmbytjes, ndërsa Besimmadhi këndon: “Kur do të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty, ose të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin” (Isaia 43:2), dhe e kalon përroin me shpejtësi. 

A dëshiron të jesh në paqe dhe i lumtur? A dëshiron të kesh gëzim në vend të zymtësisë, që ta shijosh udhëtimin? Atëherë “ki besimin e Perëndisë”! Nëse të pëlqen errësira dhe gjen kënaqësi duke jetuar në mjerim e dëshpërim, atëherë kënaqu duke pasur besim të pakët; mirëpo, nëse ta ka ënda të mbulohesh nga rrezet e diellit dhe të këndosh këngë ngazëllimi, lakmoje me gjithë zemër dhuratën më të shtrenjtë që është besimi i madh!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin