Mars 2023

Është më mirë të gjesh strehë te Zoti, sesa t’i kesh besim njeriut.

Psalmi 118:8

Pa dyshim që lexuesi nuk i ka shpëtuar tundimit që të mbështetet në gjërat e dukshme, në vend që të qëndrojë vetëm në Perëndinë e padukshëm. Të krishterët i drejtohen shpesh njeriut për ndihmë dhe këshillë, duke e cenuar kështu thjeshtësinë fisnike të mbështetjes në Perëndinë e tyre. 

A i bie në sy pasazhi i sotëm një fëmije të Perëndisë, i cili është i pushtuar nga ankthi? Atëherë, le të arsyetojmë pak së bashku. Ti beson në Jezusin dhe vetëm në Jezusin për shpëtimin tënd; atëherë pse vallë merakosesh? “Për shkak të shqetësimit të madh që kam.” A nuk është shkruar vallë: “Hidh mbi ZOTIN barrën tënde”? “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim” (Filipianëve 4:6). 

A mund t’i besosh Perëndisë për nevojat e tua fizike? “Ah, sa do të dëshiroja ta bëja këtë!” Nëse nuk mund t’i besosh Perëndisë për nevojat fizike, si guxon t’i besosh Atij vallë për nevojat frymërore? Si mund t’i besosh Atij për shpengimin e shpirtit tënd dhe prapëseprapë të mos mbështetesh tek Ai për disa mëshira pak më të vogla? A nuk të mjafton Perëndia për nevojat e tua, apo mos vallë gjithëmjaftueshmëria e Tij është e mangët për t’i plotësuar ato? A të duhet dikush tjetër që të përkujdeset për ty, përveç Atij që shikon çdo gjë të fshehtë? A është vallë e dobët zemra e Tij? A mos vallë është lodhur krahu i Tij? Nëse është kështu, kërko një Perëndi tjetër; por nëse Ai është i pafundmë, i plotfuqishëm, besnik, i vërtetë dhe i gjithëdijshëm, përse endesh sa andej-këtej duke kërkuar dikë tjetër ku ta vendosësh besimin tënd? Përse e gërmon më kot tokën për të gjetur një tjetër themel, kur ky që ke tashmë është aq i fortë, sa për të mbajtur peshën e çdo ndërtese që mund të ngresh mbi të? 

I krishterë, mos e përziej verën tënde me ujë dhe mos e lër arin e besimit të mbulohet nga zgjyra e vetëbesimit njerëzor! Shpreso vetëm në Perëndinë dhe pritshmëritë e tua rrjedhshin vetëm prej Tij! Mos e lakmo bimën e Jonës, por qëndro në Perëndinë e tij! Lërja budallenjve zgjedhjen e themeleve të paqëndrueshme prej rëre, por ti, si ai që shikon stuhinë që po afrohet, ndërto për vete një banesë mbi Shkëmbin e Përjetshëm!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin