maj 7

Maj 2022


Çfarë po kërkon Perëndia në botë? Asistentë? Jo. Ungjilli nuk është një reklamë që thotë “kemi nevojë për ndihmë”, dhe as shërbesa e krishterë nuk është e tillë.

Perëndia nuk po kërkon njerëz që të punojnë për Të, por Ai po kërkon njerëz që do ta lejojnë Atë të punojë pushtetshëm në dhe përmes tyre. “Në të vërtetë sytë e ZOTIT përshkojnë tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij” (2 i Kronikave 16:9). Ai është punëtori i madh. Ai është shpatullgjeri që mban barrët mbi supet e Tij. Perëndia është i forti dhe Ai po kërkon mënyra për ta treguar këtë. Kjo e dallon Perëndinë nga të ashtuquajturit perëndi të botës: Ai punon për ne. Isaia 64:4: “Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje [me fjalë të tjera, kjo është veçantia e tij], që vepron për atë që ka shpresë tek ai.”

“Çfarë do Perëndia nga ne?” Jo atë që mund të presim ne. Perëndia e qorton Izraelin, sepse i solli shumë flijime: “Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote… Të miat janë në fakt tërë kafshët e pyllit… Po të kisha uri, nuk do ta thosha; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat” (Psalmi 50:9-10, 12).

Por, a ka diçka që mund t’ia japim Perëndisë dhe që nuk e ul Atë në statusin e përfituesit?

Po. Shqetësimet tona. Nevojat tona. Përgjërimet tona për fuqi për të bërë vullnetin e Tij.

Ky është urdhërim: “Duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të” (1 e Pjetrit 5:7). Perëndia do të marrë nga ne, me shumë kënaqësi, çdo gjë që tregon varësinë tonë në gjithëmjaftueshmërinë e Tij.

Në thelb, krishterimi është rikuperim. Pacientët nuk u shërbejnë mjekëve të tyre. Ata kanë besim te mjekët, se ata do t’u japin kura dhe terapi të mira. Predikimi në Mal është këshilla mjekësore e Doktorit tonë, dhe jo përshkrimi i punës nga Punëdhënësi ynë.

Vetë jeta jonë varet nga të mospunuarit për Perëndinë. “Por atij që bën vepra, paga nuk i llogaritet sipas hirit por si detyrim; ndërsa atij që nuk bën vepra, por beson në atë që drejtëson të pabesin, besimi i tij i llogaritet për drejtësi” (Romakëve 4:4-5).

Punëtorët nuk marrin dhurata. Ata marrin atë që u takon, pagën e tyre. Nëse duam ta kemi dhuratën e drejtësimit, nuk guxojmë të punojmë për të. Perëndia është Ai që punon në këtë çështje dhe ajo që Ai merr, është lavdia e të qenët bamirësi i hirit dhe jo përfituesi i shërbimit.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia