maj 8

Maj 2022


Në këto vargje, është e qartë se të jesh i lindur sërish—i rilindur nga Perëndia—i kthen urdhërimet e Perëndisë nga rëndesë në kënaqësi. Si funksionon kjo?

Si kthehen urdhërimet e Perëndisë nga barrë në kënaqësi përmes të lindurit sërish?

Apostulli Gjon thotë: “Kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë” (1 e Gjonit 5:4). Me fjalë të tjera, mënyra se si të rilindurit nga Perëndia e mund ndjesinë e botës që urdhërimet e Perëndisë janë të rënda, është përmes prodhimit të besimit. Kjo konfirmohet te 1 e Gjonit 5:1, i cili fjalë për fjalë thotë: “Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur prej Perëndisë.”

Besimi është prova që ne kemi lindur nga Perëndia. Ne nuk e rilindim veten duke vendosur të besojmë. Perëndia krijon gatishmërinë për të besuar duke bërë që ne të lindim sërish. Siç tha edhe Pjetri në letrën e tij të parë, Perëndia “na rilindi për një shpresë të gjallë” (1 e Pjetrit 1:3). Shpresa jonë e gjallë, ose besimi në hirin e ardhshëm, është vepër e Perëndisë përmes lindjes së re.

Prandaj, kur Gjoni thotë: “Sepse gjithçka që ka lindur prej Perëndisë e mund botën,” dhe pastaj shton: “Dhe kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë” (1 e Gjonit 5:4), mendoj se po thotë që, përmes lindjes së re, Perëndia na aftëson që ta mundim botën—domethënë, ta mundim mosprirjen tonë sipas botës për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë. Lindja e re e bën këtë duke krijuar besim. Është e qartë se ajo përfshin një prirje për t’u kënaqur me urdhërimet e Perëndisë, në vend që të frenohesh prej tyre dhe kështu t’i konsiderosh ato si të rënda.

Prandaj, është besimi ai që e mund armiqësinë tonë të brendshme ndaj Perëndisë dhe vullnetit të tij, dhe na çliron që t’i mbajmë urdhërimet e tij dhe të themi bashkë me psalmistin: “Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd” (Psalmi 40:8).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>