Dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe i shëroi të gjithë.
Mateu 12:15
Ç’mori sëmundjesh duhet të kenë parë sytë e Jezusit! E megjithatë, [në këto vargje] nuk shohim se Atij i erdhi neveri [prej kësaj larmie lëngatash], por përkundrazi, Ai u përkujdes me durim për secilin rast [që iu paraqit]. Ç’tufë ligësish duhet të kenë rënë në këmbët e Tij! Çfarë plagësh të qelbëzuara dhe ulcerash të neveritshme! E megjithatë, Ai ishte i gatshëm të përballej me përbindëshin ligësi dhe të dilte fitimtar mbi të, pavarësisht çdo forme të re në të cilën paraqitej. Ngado që të vinte shigjeta, Ai e shuante fuqinë e saj të zjarrtë. Zjarrmia e etheve, paraliza, depresioni ose akullsia e hidropizisë; letargjia e çmendurisë, lebra dhe verbëria—të gjitha këto e njohën fuqinë e fjalës së Tij dhe ia mbathën nga sytë këmbët me urdhër të Tij. Në çdo cep të mejdanit, Ai ngadhënjeu mbi të keqen dhe mori nderimin e robërve të çliruar. Ai erdhi, Ai pa dhe Ai fitoi anembanë.
Ai del fitimtar edhe sot. Cilado qoftë lëngata nga e cila vuaj, Mjeku i dashur mund të më shërojë; por edhe cilado qoftë gjendja e atyre që mund t’i kujtoj në këto çaste në lutje, paça shpresë në Jezusin, se Ai do të jetë në gjendje që t’i shërojë ata nga mëkatet e tyre! Kam shpresë për këdo, për të gjithë—për birin tim, mikun tim, të dashurit e mi, kur kujtoj fuqinë shëruese të Zotit tim; por edhe sa më përket mua, mund të ngazëllohem dhe ta kem moralin të lartë, sado e ashpër që të jetë lufta ime me të miat mëkate dhe sëmundje. Ai që kur jetonte mbi tokë shërbente nëpër spitale, vazhdon ta derdhë hirin e tij dhe të bëjë mrekulli mes bijve të njerëzve: le të paraqitem menjëherë tek Ai me një zemër të pastër!
Le ta adhuroj Atë këtë mëngjes, tek kujtoj shërimet e Tij frymërore, të cilat i sjellin Atij nderim të pashoq. Këtë Ai e arriti duke marrë mbi vete lëngatat tona. “Për shkak të vurratave të Tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:5). Kisha mbi tokë është e mbushur me shpirtra të shëruar nga Mjeku ynë i dashur; por edhe banorët e qiellit shpallin me krenari se “Ai i shëroi të gjithë”.
Eja, pra, shpirti im, shpalli anekënd dheut meritat e hirit të Tij dhe “kjo do të jetë për ZOTIN një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet” (Isaia 55:13).
© dritez.al 2024