Maj 2023

Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!”. 

Gjoni 5:8

Ashtu si shumë të tjerë, edhe ky burrë i sëmurë kishte qenë duke pritur [për një kohë të gjatë], që të ndodhte një mrekulli dhe që t’i jepej një shenjë. Me sy të kapitur, ai vështronte drejt pellgut, por nuk po zbriste asnjë engjëll, ose të paktën, jo për të. Megjithatë, duke menduar se kjo ishte mundësia e tij e vetme, ai mbeti në pritje, pa e ditur se pranë Tij ndodhej Dikush, fjala e të cilit mund ta shëronte sa hap e mbyll sytë. Të shumtë janë ata që ndodhen në të njëjtën gjendje. Ata mbeten në pritje të një emocioni të veçantë, përshtypjeje të jashtëzakonshme apo vegimi qiellor; por ata presin dhe i mbajnë sytë hapur më kot. Mirëpo, edhe nëse supozojmë se në disa raste shfaqen shenja të mrekullueshme, prapëseprapë, këto raste janë të rralla, dhe askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë ato në situatën e vet—nuk ka të drejtë t’i kërkojë, sidomos ai që ndihet i paaftë për ta shfrytëzuar për vete lëvizjen e ujit, edhe nëse ajo do të ndodhte.

Të ngjall trishtim fakti se sa dhjetëra mijëra njerëz tashmë po presin të ndodhë diçka përmes përdorimit të mjeteve, ritualeve, betimeve dhe zotimeve, madje kanë pritur për një kohë kaq të gjatë dhe krejtësisht më kot. Ndërkohë, këta shpirtra të gjorë harrojnë që Jezusi gjendet pranë, dhe Ai u bën thirrje që ta hedhin vështrimin drejt Tij dhe të shpëtohen. Ai është i aftë t’i shërojë menjëherë, por ata preferojnë të mbeten në pritje të një engjëlli a mrekullie. Besimi tek Ai është udha e sigurt drejt çdo bekimi, edhe Ai është i denjë që të kemi besim të palëkundur në Të; por mosbesimi i shtyn që të preferojmë të presin lëvizjen e ujit, në vend që të përqafojnë mirëpritjen e ngrohtë të dashurisë së Tij.

E ktheftë Zoti shikimin e Tij drejt turmave që ndodhen në këtë gjendje sonte! Faltë mungesën e besimit të tyre ndaj pushtetit të Tij hyjnor dhe i thërrittë me atë zërin e ëmbël e urdhërues, për t’u ngritur prej vigut të dëshpërimit dhe me energjinë e besimit, ta marrin vigun e tyre dhe të ecin! O Zot, dëgjoje lutjen tonë për të gjithë ata në këtë orë muzgu, në mënyrë që përpara se të agojë dita e re, të mund të shikojnë dhe të jetojnë! 

Lexues mirënjohës, a ka diçka në këtë pjesë edhe për ty?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin