spurgeon dev 07 korrik am
July 2023

Vëllezër, lutuni për ne.

1 e Thesalonikasve 5:25

Këtë mëngjes të vitit e rezervuam për t’i kujtuar secilit lexues rëndësinë e të luturit për shërbestarët, dhe me gjithë zemër i përgjërohemi çdo familjeje të krishterë që t’i kushtojë vëmendje kësaj kërkese, e cila u shqiptua fillimisht nga Pali dhe tani përsëritet nga ne.

Vëllezër, puna jonë ka një rëndësi jetike, sepse sjell të mirën ose të keqen mbi mijëra veta. Ne punojmë për Perëndinë duke u marrë me fatin e përjetshëm të shpirtrave të njerëzve, dhe fjala jonë është ose aroma e jetës për jetë, ose era e vdekjes në vdekje. Mbi ne rëndon një përgjegjësi shumë e madhe, dhe nuk do të jetë mëshirë e vogël [nga Perëndia] nëse në fund nuk do të bjerë mbi ne gjaku i të gjithë njerëzve. Duke qenë oficerë në ushtrinë e Krishtit, jemi shënjestra e parapëlqyer e armiqësisë së njerëzve dhe djajve. Ata na ruajnë kur lëkundemi, dhe përpiqen të na pengojnë duke na kapur nga thembrat.

Për shkak të thirrjes sonë të shenjtë, ne tundohemi në mënyra prej së cilave ju jeni të përjashtuar; mbi të gjitha, shumë shpesh ajo na largon nga shijimi personal i së vërtetës drejt një shqyrtimi zyrtar dhe pastoral të saj. Hasim shumë raste të ngatërruara, në të cilat nuk dimë ç’të bëjmë; vëmë re shumë largime të trishtueshme nga besimi dhe zemrat tona lëndohen; shikojmë miliona njerëz që humbasin dhe shpirtrat tanë shkurajohen. Urojmë që t’ju japim zemër me anë të predikimit tonë; dëshirojmë të jemi bekim për fëmijët tuaj; digjemi nga dëshira për të qenë të dobishëm si për shenjtorët po ashtu dhe për mëkatarët.

Prandaj, miq të dashur, ndërmjetësoni për ne përpara Perëndisë tonë! Jemi njerëz të mjerë kur na mungon ndihma e lutjeve tuaja, por të lumë kur jemi vazhdimisht në përgjërimet tuaja. Bekimet frymërore ju nuk i kërkoni te ne, por te Mësuesi ynë, mirëpo, pa kujtoni pak se sa herë i ka dhënë Ai ato bekime përmes shërbëtorëve të Tij. Lutuni, pra, pa ndërprerje, që ne të jemi ato enët e baltës në të cilat Zoti ynë të mund të fshehë thesaret e Ungjillit. Ne, të gjithë bashkë, misionarë, shërbestarë dhe studentë [të Biblës], ju përgjërohemi në emër të Jezusit: “Vëllezër, lutuni për ne.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin