Sepse për mua të jetuarit është Krishti.
Filipianëve 1:21
Nuk ka besimtar që të ketë jetuar gjithnjë për Krishtin! Në fakt, besimtari nisi të jetojë për Krishtin atëherë kur Perëndia Frymë e Shenjtë e bindi për mëkatin dhe kur në sajë të hirit iu hapën sytë të shihte Shpëtimtarin që po vdiste për të bërë shlyerjen e fajit të tij. Njeriu fillon të jetojë për Krishtin që nga momenti i rilindjes hyjnore. Për besimtarët, Jezusi është margaritari me vlerë të madhe, për të cilin jemi gati të shesim gjithçka kemi. Jezusi e ka rrëmbyer krejtësisht zemrën tonë, saqë ajo rreh vetëm për Të. Jetojmë vetëm për lavdinë e Tij dhe jemi gati të vdesim në mbrojtje të ungjillit të Tij. Ai është shembulli ynë jetësor dhe modeli sipas të cilit gdhendim karakterin tonë.
Fjalët e Palit kanë një domethënie më të gjerë, sesa mendojnë shumica e njerëzve, sepse ato nënkuptojnë që Krishti ishte qëllimi dhe synimi i vetëm i jetës së tij—madje, Krishti ishte vetë jeta e tij. Sipas fjalëve të një shenjtori nga lashtësia: jeta e përjetshme ishte buka, uji dhe prehja e Palit. Jezusi ishte vetë frymëmarrja e tij, shpirti i shpirtit të tij, zemra e zemrës së tij dhe jeta e jetës së tij. Ti që e quan veten të krishterë, a mund të thuash të njëjtën gjë për veten tënde? A mund të thuash me ndershmëri se për ty të jetuarit është Krishti? A po e bën punën tënde për Krishtin? A mos po e bën për t’i dhënë lavdi vetes ose për të pasuruar familjen? A po pyet vallë: “A mos është ajo një arsye e ulët?” Për të krishterin ashtu është. Meqenëse pohon se jeton për Krishtin, atëherë, si mund të jetojë për ndonjë qëllim tjetër pa kryer kurorëshkelje frymërore?
Të shumtë janë ata që e vënë në jetë këtë parim deri në njëfarë mase; por, kush guxon të thotë se ka jetuar plotësisht për Krishtin siç bëri apostulli Pal? E megjithatë, vetëm kjo është jeta e vërtetë e të krishterit—burimi i saj, vazhdimësia, modeli dhe qëllimi i saj, të gjitha përmblidhen në një fjalë—Krishti. Zot, pranomë; ta paraqes veten, duke t’u lutur që të jetoj vetëm në Ty dhe për Ty! Le të jem si krijesa që qëndron mes parmendës dhe altarit, për të punuar ose për t’u flijuar, dhe motoja ime le të jetë: “Gati për të dyja!”.
© dritez.al 2024