pjesa
January 2023

Motra ime, nusja ime.

Kënga e Këngëve 4:12

Vëreni emrat e ëmbël me të cilët Salomoni hyjnor i drejtohet nuses së Tij, kishës, plot me dashuri të thellë. “Motra ime, e afërmja Ime nga gjaku dhe bashkëndarësja e të njëjtave dhembshuri; nusja ime, personi më i afërt dhe më i shtrenjtë, bashkuar me Mua përmes lidhjeve më të përzemërta të dashurisë; mikja ime e bukur, pjesë e qenies Sime. Motra ime, në sajë të Mishërimit Tim, i cili më bën kockë nga kockat e tua dhe mish nga mishi yt; nusja ime, në sajë të vlesës qiellore, përmes së cilës u martova me ty në drejtësi. 

Motra ime, të cilën e njihja që nga lashtësia dhe mbi të cilën vigjilova qysh se kur lindi. Nusja Ime, të cilën e mora mes bijave, e përqafova me krahë dashurie dhe me të cilën u lidha për jetë e mot.” E shikon sa i vërtetë është fakti që i Afërmi ynë mbretëror nuk turpërohet nga ne, sepse duket se e thekson me ëndje këtë marrëdhënie të dyfishtë. Fjalën “ime” e ndeshim dy herë në tekstin tonë; sikur Krishti të banonte me ngazëllim te Kisha që është pronë e Tij. 

Ai kënaqej me bijtë e njerëzve, sepse këta bij njerëzish ishin vetë të zgjedhurit e Tij. Ai, Bariu, i kërkonte delet, sepse ato ishin delet e Tij; Ai ka dalë “të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur”, sepse ajo që kishte humbur ishte e Tija shumë kohë përpara se të humbte ose t’i humbte Atij. 

Kisha është pronë ekskluzive e Zotit të saj; askush tjetër nuk mund të kërkojë të ketë pjesë ose të pretendojë të marrë nga dashuria e saj. Jezus, kisha Jote është e kënaqur që gjërat janë kështu! Le të pijë ngushëllim prej këtyre puseve çdo shpirt që beson! Shpirti im, e ke shumë pranë Jezusin, falë marrëdhënies që të lidh me Të, Krishti është i dashur për ty, sepse me Atë të lidh lidhja martesore. Shihe se si i bashkon duart e Tij me të tuat duke të thënë: “Motra ime, nusja ime”. Vëreji dy kapëset e shenjta me të cilat Zoti yt të shtrëngon nga të dyja anët, duke mos mundur dhe duke mos dashur të të lëshojë më! O e dashura ime, përgjigjju pa vonesë flakës së shenjtë të dashurisë së Tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>