Janar 2022
Nevoja për fuqi të brendshme lind jo vetëm nga boshllëku që shkakton stresi i përditshëm, por edhe nga vuajtja dhe mundimet që na vijnë herë pas here. Ato vijnë, pa diskutim.
Lodhjes së zemrës përgjatë udhës për në qiell i shtohet pashmangshmërisht vuajtja. Kur vuajtja vjen, zemra mund të lëkundet dhe shtegu i ngushtë që të çon në jetë, mund të duket jashtëzakonisht i vështirë. Mjaft e vështirë është të ecësh në një shteg të ngushtë dhe t’u ngjitesh kodrave të thepisura, të cilat e sfidojnë forcën e karakatinës së vjetër deri në caqet e saj. Por çfarë mund të bëjmë, kur makina pëson defekt?
Pali klithi tri herë këtë pyetje, për shkak të një mundimi në jetën e tij. Ai kërkoi që t’i jepej lehtësim nga gjembi në mish. Sidoqoftë, hiri i Perëndisë nuk erdhi në formën që ai e kërkoi, por në një formë tjetër. Krishti iu përgjigj: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9).
Këtu ne shohim hirin që jepet në formën e fuqisë përforcuese të Krishtit në mes të një mundimi që nuk lehtësohet—mund të themi se u dha një lloj hiri brenda sferës së një hiri të mohuar. Pali reagoi me besim në mjaftueshmërinë e këtij hiri të ardhshëm: “Prandaj, me kënaqësi të madhe, do të mburrem më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (2 e Korintasve 12:9).
Shpesh, Perëndia na bekon me një “hir të dhënë”, brenda sferës së “hirit të mohuar”.
Për shembull, në një ditë përvëluese korriku, pompa e ujit të makinës sonë nuk po punonte dhe kështu mbetëm në mes të rrugës për në Tenesi, tridhjetë kilometra larg qytetit më të afërt.
Atë mëngjes isha lutur që makina të punonte mirë dhe që të arrinim të sigurt në vendin ku ishim nisur. Tani makina kishte pësuar defekt. Hiri i një udhëtimi pa probleme na ishte refuzuar. Askush nuk po ndalonte për të na pyetur, ndërsa qëndronim në këmbë pranë makinës sonë. Pastaj, djali ynë Abrahami (i cili në atë kohë ishte pothuajse njëmbëdhjetë vjeç) tha: “Babi, duhet të lutemi.” Kështu u ulëm pas makinës dhe i kërkuam Perëndisë të na jepej një hir i ardhshëm—një ndihmë në kohë nevoje. Kur përfunduam lutjen, pamë që një kamionçinë kishte ndaluar në anë të rrugës.
Shoferi ishte mekanik dhe punonte tridhjetë kilometra më tutje. Ai ishte i gatshëm të shkonte t’i merrte pjesët dhe të kthehej për ta rregulluar makinën. Vajta me të në qytet dhe pata mundësi të ndaja ungjillin. Pas afërsisht pesë orësh patëm mundësi të vazhdonim udhëtimin tonë.
E jashtëzakonshme në lidhje me atë përgjigje lutjeje është që ajo erdhi brenda sferës së një lutjeje që ishte refuzuar. Ne u lutëm për një udhëtim pa probleme. Perëndia na dha mundime, por në mes të hirit të refuzuar, na u sigurua një lloj tjetër hiri. Po mësoj t’i besoj urtësisë së Perëndisë që të japë hirin më të mirë për mua, për mekanikët jobesimtarë dhe për besimin vëzhgues të djemve njëmbëdhjetë vjeçarë.
Nuk duhet të habitemi që Perëndia na jep dhurata të mrekullueshme hiri në mes të vuajtjes, për të cilën iu lutëm Atij që të na e largonte. Ai e di më mirë se si ta japë hirin e Tij, për të mirën tonë dhe për lavdinë e Tij.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022