spurgeon dev 07 gusht am
August 2023

Kanë të drejtë që të duan.

Kënga e Këngëve 1:4

Besimtarët e duan Jezusin me një dashuri kaq të thellë, të cilën nuk guxojnë t’ia falin ndonjë qenieje tjetër. Më mirë të humbnin nënë e babë, sesa të ndaheshin nga Krishti. Për ta, rehatitë e kësaj bote janë të parëndësishme, ndërsa Atë e shtrëngojnë fort në gji. Ata e mohojnë veten gjithë dëshirë për hir të Tij, por nuk u bën kurrë zemra që ta mohojnë Atë. Zjarri i persekutimit mund të thajë vetëm dashurinë sipërfaqësore, por dashurinë e besimtarit të vërtetë nuk ka zjarr që ta thajë, sepse ajo është si një lumë i thellë. 

Në çdo epokë, njerëzit janë përpjekur për ta ndarë besimtarin nga Zoti i tij, por orvatjet e tyre kanë qenë të kota. As kurorat e nderit dhe as fytyrat e zemëruara nuk ia kanë dalë që ta zgjidhin këtë nyje dashurie. Kjo nuk është si çdo lidhje tjetër, të cilën fuqia e botës mund ta këputë me kalimin e kohës. As njeriu dhe as qoftëlargu nuk e kanë gjetur ende çelësin që e hap një bravë të tillë. Zeja e të Paudhit nuk ka dështuar kurrë më keq sesa kur ai e ka ushtruar atë duke u përpjekur që ta prishë këtë lidhje zemrash të ngjitura hyjnisht. Është shkruar, dhe asgjë nuk e shuan dot këtë fjali: “Kanë të drejtë që të duan.” Megjithatë, intensiteti i dashurisë së të drejtëve nuk duhet të vlerësohet edhe aq prej dukjes së saj, sesa prej dëshirës së zjarrtë të të drejtit.

Në fakt, vajtimi ynë i përditshëm është që nuk duam aq sa duhet. Sa mirë do të ishte sikur zemrat tona të ishin të afta të mbanin më shumë dhe të arrinin më larg! Porsi i miri Samuel Rutherford, edhe ne psherëtijmë e qajmë: “Oh, për gjithë dashurinë që mund të mbulojë tokën dhe qiellin—po, madje edhe qiejt e qiejve dhe dhjetë mijë botë të tjera—sikur t’ia falja të gjithë atë më të bukurit Zotit Jezus!”. Mjerisht, arritja jonë më e madhe nuk është veçse një interval dashurie, dhe të gjitha ndjenjat tona janë si një pikë uji në krahasim me atë që Ai meriton. Mate dashurinë tonë duke marrë parasysh synimet e saj, dhe është vërtet e madhe; ne besojmë se kështu e mat edhe Zoti ynë. Oh, sikur ta ofronim dashurinë e të gjitha zemrave tona në një masë të madhe e të vetme, një tërësi të të gjitha dashurive tona për Atë që është më i bukuri nga të gjithë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>