spurgeon dev 07 gusht pm
August 2023

Satani na pengoi.

1 e Thesalonikasve 2:18

Që nga çasti i parë kur e mira nisi luftën me të keqen, fakti që Qoftëlargu na pengon, ka qenë gjithmonë i vërtetë në përvojën frymërore. Nga të gjitha anët e horizontit, përgjatë gjithë vijës së frontit, në pararojë ose në praparojë, në agim apo në orët e vona të natës, i Paudhi na pengon. Sa herë që punojmë arën, përpiqet të na thyejë veglat e punës; po qe se ndërtojmë një mur, përpiqet t’i rrëzojë gurët; në qoftë se i shërbejmë Perëndisë në vuajtje apo në konflikt—edhe aty Shejtani na pengon. Ai na pengon kur jemi duke ardhur te Jezu Krishti për herë të parë. Sa të ashpra ishin përleshjet me të Paudhin kur për herë të parë e ngulëm vështrimin në kryq dhe jetuam! Tani që jemi të shpëtuar, përpiqet me çdo kusht për të penguar rritjen tonë në karakterin e krishterë. Ndofta po e përgëzon veten duke thënë: “Deri tani kam ecur udhës së drejtë; askush nuk mund ta vërë në dyshim integritetin tim personal.”

Ruhu nga mburrja, se virtyti yt shumë shpejt do të sprovohet; madje Qoftëlargu do t’i drejtojë shigjetat e Tij pikërisht kundër atij virtyti për të cilin ti njihesh ndër të gjithë. Në qoftë se deri më tani ke qenë një besimtar i fortë, nuk do të kalojë shumë dhe besimi yt do të sulmohet; nëse ke qenë zemërbutë si Moisiu, prit të tundohesh që të flasësh në mënyrë të pamatur me buzët e tua. Zogjtë do t’i çukisin edhe frutat e tua më të pjekura, ndërsa derri i egër do t’i përplasë çatajtë e vet pas hardhive të tua më të zgjedhura.

Është e sigurt që Qoftëlargu do të na pengojë edhe kur jemi besnikë në lutje. Ai e sulmon qëndrueshmërinë tonë dhe na e dobëson besimin, me qëllim që, po të jetë e mundur, ta humbim bekimin. Satani nuk është më pak syçelë për t’iu kundërvënë veprës së krishterë. Nuk ka ndodhur asnjë rizgjim besimi pa u rigjallëruar krahas tij edhe kundërshtimi i armiqve të Perëndisë. Me të filluar Ezra dhe Nehemia punën [për rindërtimin e mureve të Jerusalemit], Sanbalati dhe Tobiahu u lëshuan si qen të tërbuar për t’i penguar ata. Çfarë duhet bërë atëherë? Neve aq na bën që i Paudhi na pengon, sepse kjo është një dëshmi që jemi në anën e Zotit tonë dhe që po bëjmë punën e Tij; pikërisht në fuqinë e Tij do të fitojmë dhe do të ngadhënjejmë mbi kundërshtarin.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>