spurgeon dev 07 dhjetor am
December 2023

Perëndia ka zgjedhur gjërat jofisnike të botës dhe gjërat e përçmuara.

1 e Korintasve 1:28

Shëtit rrugëve nën dritën e hënës, nëse ta mban, dhe atëherë do të shohësh mëkatarët. Pa shiko kur nata është e zezë sterrë, kur era vajton përzishëm, kur kusari fshihet pas dere, dhe atëherë do të shohësh mëkatarët. Shko te qendra e paraburgimit, ec nëpër pavijone dhe vëri re njerëzit me vetulla të ngrysura dhe të rrudhura, njerëz me të cilët nuk do të doje të takoheshe natën, sepse atje ke për të gjetur mëkatarë. Shko te qendrat e riedukimit dhe vëreji ata të cilët që në moshë të njomë janë dhënë pas shthurjes më të shfrenuar, sepse atje ke për të gjetur mëkatarë.

Shko nga të duash, por nuk ke për ta pasur asnjëherë të vështirë për t’i gjetur mëkatarët, sepse janë mjaft të përhapur; mund t’i gjesh në çdo rrugicë dhe rrugë të çdo qyteti dhe qyteze, lokaliteti dhe fshati. Pikërisht për njerëz të tillë vdiq Jezusi.

Edhe sikur të zgjedhësh sojin më të ndyrë të njerëzve të lindur nga gruaja, unë asnjëherë nuk e humbas shpresën për të, sepse Jezu Krishti erdhi për të kërkuar dhe për të shpëtuar mëkatarët. Dashuria zgjedhëse ka përzgjedhur disa nga njerëzit më të këqij për t’i kthyer në më të mirët.

Guriçkat e përroit kthehen nga hiri në gurë të çmuar për kurorën mbretërore. Ai e shndërron edhe ndryshkun e pavlerë në ar të kulluar. Dashuria shpenguese ka ndarë mënjanë shumë nga llumi i njerëzimit, për t’i kthyer në shpërblimin e vuajtjeve të Shpëtimtarit.

Hiri i efektshëm i thërret mëkatarët më të regjur të ulen në tryezën e mëshirës, ja pse asnjë prej nesh nuk ka pse të dëshpërohet. 

Lexues, për hir të dashurisë që rrezaton nga sytë e përlotur të Jezusit, për hir të dashurisë që buron nga ato plagë të përgjakura, për hir të asaj dashurie besnike, asaj dashurie të fuqishme, të dëlirë, pa interes dhe të qëndrueshme, për hir të zemrës dhe dhembshurisë së çmuar të Shpëtimtarit, të përgjërohemi sonte të mos i shpërfillësh këto gjëra sikur të mos kishin asnjë vlerë për ty. 

Përkundrazi, beso në Të dhe do të shpëtohesh! Besoja Atij shpirtin tënd, dhe Ai do të të çojë në krahun e djathtë të Atit, në lavdi të përjetshme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin