spurgeon dev 07 dhjetor pm
December 2023

Të gjithëve u bëra gjithçka, që me çdo mënyrë të shpëtoj disa.

1 e Korintasve 9:22

Qëllimi parësor i Palit nuk ishte thjesht t’i mësonte dhe t’i përmirësonte të tjerët, por t’i shpëtonte. Çdo arritje tjetër më e vogël sesa ky objektiv do të kishte qenë zhgënjyese për të; ai dëshironte t’i shihte njerëzit të rilindur në zemër, të falur, të shenjtëruar, pra, në fakt, të shpëtuar. A mos vallë vepra jonë e krishterë ka ndonjë qëllim më të vogël sesa ky objektiv i madh? Atëherë le të bëjmë kthesë, sepse ç’vlerë ka nëse njerëzit paraqiten të pashpëtuar përpara fronit të Perëndisë ditën e madhe të gjykimit, edhe pasi i kemi mësuar dhe pasi u kemi bërë moral? Nëse gjatë jetës jemi përpjekur të arrijmë qëllime më të ulëta dhe kemi harruar se njerëzit kishin nevojë të shpëtoheshin, neve do të na kërkohet llogari.

Pali e njihte mjerimin e gjendjes natyrore të njeriut dhe nuk u përpoq ta edukonte njeriun, por ta shpëtonte atë. I shihte njerëzit tek binin në ferr dhe nuk u foli për t’i përmirësuar, por për t’i shpëtuar nga zemërimi që po vinte. Për të arritur shpëtimin e tyre, ai e treti jetën e tij me zell të palodhur në përhapjen e Ungjillit, duke i paralajmëruar dhe duke iu përgjëruar njerëzve që të pajtoheshin me Perëndinë. Lutej me kohë e pa kohë dhe bënte përpjekje të pandërprera për këtë qëllim. Shpëtimi i shpirtrave qe pasioni i tij i zjarrtë, ambicia dhe thirrja e tij. Ai u bë shërbëtori i të gjithëve, duke u përpjekur për ta, duke ndier një brengë brenda vetes nëse nuk predikonte Ungjillin. Ai i harroi parapëlqimet e veta për të mënjanuar paragjykimet; nuk kërkoi të vetat për sa i përket gjërave neutrale dhe nuk pyeste shumë për format apo ritet, sepse për të ishte e rëndësishme që njerëzit të merrnin Ungjillin. Ungjilli ishte e vetmja çështje shumë e rëndësishme për të. Ai kënaqej edhe kur arrinte një grusht njerëzish për ungjillin e Krishtit. Kjo ishte kurora për të cilën ai mundohej, shpërblimi i vetëm dhe i mjaftueshëm për të gjitha përpjekjet dhe veprat e tij vetëmohuese.

Lexues i dashur, a kemi jetuar unë dhe ti për të fituar shpirtra me po këtë ritëm? Vallë, a jemi rrokur tërësisht nga e njëjta dëshirë gjithëpushtuese? Nëse jo, përse jo? Jezui vdiq për mëkatarët. Vallë, a nuk mund të jetojmë për ta? Ku është zemërbutësia jonë? Ku është dashuria jonë për Krishtin nëse nuk e kërkojmë nderimin e Tij në shpëtimin e njerëzve? Zot Jezus, na mbush deri në grykë me një zell të pashuar për shpirtrat e njerëzve!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin