spurgeon dev 06 am
October 2023

“Por kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë më etje përjetë.”

Gjoni 4:14

Ai që beson në Jezusin, gjen material të mjaftueshëm në Zotin e tij, sa për t’u kënaqur sot dhe për të qenë i ngopur për jetë e mot. Besimtari nuk është njeriu ditët e të cilit janë të mërzitshme për shkak të mungesës së përdëllimit dhe netët e të cilit janë të gjata për shkak të mungesës së mendimeve të hareshme. Besimtari gjen te besimi në Zotin një burim të tillë gëzimi, një pus të tillë ngushëllimi, saqë është i gëzuar dhe i lumtur. Hidhe në një birucë dhe do të gjejë një shoqëri të mirë; degdise në një shkretëtirë të zbrazët dhe do të hajë bukën e qiellit; ndaje nga shoqëria, dhe prapëseprapë do të gjejë “një mik që është më i ngushtë se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24). Provo t’ia prishësh strehën dhe ai do të gjejë strehë poshtë Shkëmbit të Përjetshëm; minoje themelin e të tijave shpresa tokësore, por zemra e tij do të mbetet e patundur, duke besuar në Zotin. 

Zemra e tij ishte po aq e pangopur, sa edhe varri përpara se Jezusi të hynte në të, por pastaj bëhet si një kupë që derdhet pasi është mbushur deri në buzë. Në Krishtin gjendet një mbushulli e tillë, që e bën Atë të jetë gjithçka për besimtarin. Shenjtori i vërtetë është kaq i plotmbushur me gjithëmjaftueshmërinë e Jezusit, saqë nuk ka më etje—përveçse ndoshta të pijë gllënjka gjithnjë e më të mëdha nga burimi i gjallë. 

Kaq e ëmbël do të jetë etja jote, o besimtar; nuk do të jetë një etje që karakterizohet nga dhimbja, por një etje që përshkohet nga ëndja plot dashuri. Do të të duket një gjë shumë e bukur të kesh ëndje për ta shijuar gjithnjë e më thellë dashurinë e Jezusit. Një shenjtor qëmoti tha: “E kam hedhur kovën time shpesh e më shpesh në pus në të kaluarën, por tani etja ime për Jezusin është bërë kaq e pashuar, saqë do të dëshiroja ta ngrija pusin dhe ta vija në buzët e mia e të pija prej tij.” 

A është kjo vallë ndjenja që ke në zemër tani, o besimtar? A e ndien ti vallë që të gjitha dëshirat e tua janë përmbushur në Jezusin dhe që tani nuk ke më asnjë nevojë, përveçse ta njohësh më mirë dhe të kesh një marrëdhënie më të thellë me Të? Atëherë, eja vazhdimisht te burimi dhe nxirr lirisht prej tij ujin e jetës! Jezusi nuk do të mendojë asnjëherë se po merr më tepër sesa të takon, por do të të mirëpresë përherë duke thënë: “Pi; po, pi sa të dëshirosh, o i dashur!”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>