Në fakt ai qe martuar me një grua etiopase.
Numrat 12:1
Moisiu bëri një zgjedhje të çuditshme, por jo edhe aq befasuese sa zgjedhja e Atij që është profet porsi Moisiu, por edhe më i madh se ai—vetë Zoti ynë Jezus! Është një fakt që i mrekullon madje edhe engjëjt, se si Jezusi shkoi deri aty sa ia fali dashurinë e Tij njerëzve të humbur, të mjerë e fajtorë. Çdo besimtar, tek mbushet me ndjesinë e dashurisë së Jezusit, duhet gjithashtu të pushtohet nga mahnitja që një dashuri e tillë mund të derdhet me bollëk mbi një objekt krejtësisht të padenjë për të. Duke qenë se e njohim fajin tonë të fshehtë, pabesinë tonë dhe të qenët me gjysmë zemre, shkrihemi në një admirim mirënjohës për lirinë e pashoqe dhe sovranitetin e hirit.
Jezusi duhet ta ketë gjetur brenda zemrës së Vet shkakun e dashurisë së Tij për ne; nuk ka mundësi që ta ketë gjetur në ne, sepse nuk gjendet atje. Qysh prej kthimit tonë në besim, kemi qenë të varfër, megjithëse hiri na ka bërë të pasur. I shenjti Rutherford tha për veten diçka që besoj se vlen edhe për ne: “Lidhja ime me Të qëndron në faktin që jam i sëmurë, dhe Ai është Mjeku për të cilin kam aq shumë nevojë. Mjerisht, sa herë nuk e marr seriozisht Krishtin! Ai lidh, unë zgjidh; Ai ndërton, unë shkatërroj; unë zihem me Krishtin, ndërsa Ai pajtohet me mua njëzet herë në ditë!”.
O Bashkëshorti më zemërbutë e më besnik i shpirtrave tanë, të lutem, mos e lër përgjysmë veprën tënde të hirshme për të na përshtatur me shëmbëllimin tënd, derisa të na paraqitësh përpara Vetes, madje edhe ne në varfërinë tonë, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë! Moisiu hasi kundërshtime për shkak të martesës së vet, madje ai bashkë me të shoqen ranë pre e një rebelimi. A mund të habitemi, pra, nëse kjo botë kotësish ngrihet kundër Jezusit dhe kishës së Tij, dhe sidomos kur kthehen në besim mëkatarët me nam? Ky, në fakt, është gjithmonë themeli i kundërshtimit të fariseut: “Ky i pranon mëkatarët” (Luka 15:2). Natyrisht që Ai i pranon; në fund të fundit, Ai nuk erdhi të thërriste të drejtët, por mëkatarët në pendim.
© dritez.al 2024