spurgeon dev 06 shtator am
September 2023

…në mes të një brezi dredharak dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë.

Filipianëve 2:15

Dritat i përdorim për t’i bërë gjërat që të duken. Po kështu edhe jeta e të krishterit duhet të shkëlqejë aq shumë, saqë dikush nuk mund të jetojë më tepër se një javë me të pa e njohur Ungjillin. Të folurit e tij duhet të jetë i atillë, saqë të gjithë ata që kalojnë kohë me të, do ta kuptojnë qartë se kujt i përket dhe se kujt i shërben, madje të shohin shëmbëllimin e Jezusit të pasqyruar në veprimet e tij të përditshme. Dritat janë projektuar për të orientuar. Duhet t’i ndihmojmë njerëzit përreth nesh, të cilët ende dergjen në errësirë. Duhet t’ua shpallim Fjalën e jetës. Duhet t’i drejtojmë mëkatarët te Shpëtimtari dhe të lodhurit te vendpushimi hyjnor. Ndonjëherë, njerëzit e lexojnë Biblën e tyre dhe nuk arrijnë ta kuptojnë dot; prandaj, ne duhet të jemi të gatshëm, porsi Filipi, që ta udhëzojmë kërkuesin për sa i përket domethënies së Fjalës së Perëndisë, udhës së shpëtimit dhe jetës së perëndishme.

Dritat gjithashtu përdoren për të paralajmëruar. Aty ku ka shkëmbinj dhe cekëtina me siguri që do të ndërtohet ndonjë far. Të krishterët duhet ta dinë se ka shumë drita të rreme anekënd botës, dhe ja përse nevojitet drita e duhur. Sirenat e qoftëlargut janë përherë në veprim, duke e tunduar të paperëndishmin të mëkatojë nën pretekstin e kënaqësisë ndërsa ngrenë lart drita mashtruese. Është përgjegjësia jonë që ta ndriçojmë dritën e vërtetë mbi çdo shkëmb të rrezikshëm, të vëmë në dukje çdo mëkat dhe të nxjerrim në pah pasojat e tij, në mënyrë që të mos bjerë mbi ne gjaku i të gjithë njerëzve, dhe të ndriçojmë si pishtarë në këtë botë. Dritat gjithashtu sjellin shumë hare, ashtu si edhe vetë të krishterët. I krishteri duhet të jetë një ngushëllues, me fjalë të ëmbla në gojë dhe dhembshuri për të tjerët në zemër; ai duhet t’i çojë rrezet e diellit kudo ku shkon dhe të përhapë lumturi përreth vetes.

Frymë plot hir në mua bano,
Që kështu unë hir të kem;
Dhe me fjalë ndihmuese e shëruese
Në timen, Tënden jetë zbulo,
Dhe me vepra të guximshme e të ndjeshme
Për Krishtin Shpëtimtarin tim fol.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>