Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, nuk jeni nën ligj.
Galatasve 5:18
Individi që e sheh karakterin dhe pozitën e vet nga pikëpamja ligjore, jo vetëm që do të dëshpërohet kur t’i vijë fundi gjykimit të tij, por në qoftë se do të ishte një burrë i mençur, do të bënte mirë të dëshpërohej që në pikënisje; sepse po qe se do të gjykoheshim sipas ligjit, askush prej nesh nuk do të drejtësohej. Ç’bekim i madh është për ne dijenia se banojmë në mbretërinë e hirit dhe jo në atë të ligjit! Kur mendoj për statusin tim përpara Perëndisë, nuk duhet të shtroj pyetjen: “A jam vallë i përkryer në vetvete përpara ligjit?”, por: “A jam vallë i përkryer në Krishtin Jezus?”. Kjo është një çështje shumë e ndryshme. Nuk duhet të pyesim veten: “A jam vallë pa mëkat për nga natyra?”, por: “A jam larë vallë në burimin ku pastrohen mëkati dhe papastërtia?”. Pyetja që shtrohet, nuk është: “A e kënaq vallë Perëndinë kështu si jam?”, por është: “A jam vallë i pranuar në Shumë të Dashurin?”.
Kur i krishteri i sheh provat e tij nga maja e Sinait, ai shqetësohet për shpëtimin e vet, por do të ishte më mirë ta shihte pozitën e tij në dritën e Golgotës. Ai thotë: “Besimi im përmbajtka mosbesim; ai nuk është i aftë të më shpëtojë.” Mirëpo, mendo pak sikur ai të kishte menduar rreth objektit të besimit të vet, në vend që të merrej me besimin e vet. Atëherë ai do të kishte thënë: “Në Të nuk ka asnjë të metë, prandaj jam i sigurt.” Ai psherëtin mbi shpresën e tij: “Shpresa ime është mekur dhe dobësuar nga përqendrimi i ankthshëm te gjërat e tashme; e si mund të pranohem unë vallë?”.
Në qoftë se do të ishte marrë me themelin e shpresës së vet, ai do të kishte zbuluar se premtimi i Perëndisë mbetet i sigurt dhe se, përkundër dyshimeve tona të llojllojshme, betimi dhe premtimi i Perëndisë janë të palëkundur. Besimtar, është gjithmonë më e sigurt për ty që të udhëhiqesh nga Fryma në lirinë e Ungjillit, sesa të biesh nën zgjedhën e prangave të ligjit! Mos e gjyko veten sipas asaj që ti je, por sipas asaj që është Krishti! Satani do të përpiqet ta prishë paqen tënde duke të të kujtuar mëkatet dhe të metat: ti mund t’i rrëzosh me sukses të tijat akuza, duke i qëndruar besnik Ungjillit dhe duke refuzuar të vësh mbi vete zgjedhën e skllavërisë.
© dritez.al 2024