spurgeon dev 06 qershor am
Qershor 2023

“Ja, jam shpirtvogël”

Jobi 40:4

Ja ku është një fjalë ngazëlluese për ty, o mëkatar mjeran dhe i humbur! Ti mendon se nuk duhet t’i qasesh Perëndisë, sepse je shpirtvogël.

Mirëpo, nuk ka asnjë shenjtor që jeton në këtë botë, i cili që nuk e ka ndier veten kështu. Në qoftë se Jobi, Isaia dhe Pali e ndjenë të nevojshme të thoshin: “Unë jam shpirtvogël”, atëherë, mëkatar, a do të të vijë turp t’i bashkohesh një rrëfimi të tillë? Në qoftë se hiri hyjnor nuk e çrrënjos gjithë mëkatin nga besimtari, si mund të shpresosh ta bësh një gjë të tillë me forcat e tua? Dhe në qoftë se Perëndia i do të Vetët edhe atëherë kur janë shpirtvegjël, a mendon vallë se gjendja jote do ta pengojë Atë të të dojë?

Beso në Jezusin, ti njeri i flakur nga shoqëria e kësaj bote! Jezusi të thërret ty dhe të thërret ashtu siç je.

Jo të drejtët, jo të drejtët;
Mëkatarët, Jezusi erdhi me thirrë.

Shpalle, madje edhe tani, “Ti ke vdekur për mëkatarët. Unë jam një mëkatar, Zoti Jezus; më spërkat me gjakun Tënd.” Nëse e rrëfen mëkatin tënd, do të marrësh falje. Nëse tani, do të thuash me gjithë zemër: “Jam i papastër, o Zot, më pastro”, do të marrësh menjëherë pastrimin që kërkove. Në qoftë se Fryma e Shenjtë të bën të aftë që të këndosh me gjithë zemër:

Kështu siç jam, pa asnjë meritë,
Por për mua e derdhe gjakun Ti,
Se Ti më bën thirrje që unë të vij,
O Qengj i Perëndisë, unë vij, unë vij!

Nga leximi devocional i këtij mëngjesi, ti do të ngrihesh me të gjitha mëkatet të falura; dhe megjithëse sot në mëngjes kur u zgjove, të rëndonin mbi kokë të gjitha mëkatet e kryera nga njeriu, sonte do të biesh të flesh i pranuar në Shumë të Dashurin. Megjithëse dikur vishje rreckat poshtëruese të mëkatit, do të stolisesh me mantelin e drejtësisë dhe do të dukesh po aq i bardhë, sa edhe vetë engjëjt.

Kjo ndodh sepse “tani”, lexoje mirë, “tani është koha e pëlqyer” (2 e Korintasve 6:2). Në qoftë se “beson në atë që drejtëson të pabesin”, je i shpëtuar. Të dhëntë Fryma e Shenjtë besim shpëtues në Atë që i pranon ata të cilët janë shpirtvegjël.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin