Janë izraelitë? Edhe unë!
2 e Korintasve 11:22
Ja ku kemi një pretendim personal, i cili ka nevojë të provohet. Apostulli e dinte se pretendimi i tij as që mund të vihej në dyshim, por ka shumë njerëz të cilët megjithëse nuk kanë të drejtë ta mbajnë këtë titull, prapëseprapë pretendojnë se i përkasin Izraelit të Perëndisë. Në qoftë se po shpallim plot vetëbesim: “Edhe unë jam izraelit”, do të bënim mirë ta shpallnim këtë vetëm pasi t’i kishim shqyrtuar zemrat si në praninë e Perëndisë. Mirëpo, në qoftë se mund të japim prova se po e ndjekim Jezusin dhe në qoftë se me gjithë zemër themi: “Unë kam besim të plotë në Të, besoj vetëm në Të, thjesht besoj në Të, besoj në Të tani dhe do të besoj në Të përjetë e mot”, atëherë, edhe neve na përket pozita e shenjtorëve të Perëndisë.
Të gjitha zotërimet e tyre janë edhe tonat; ne mund të jemi më të vegjlit e Izraelit, “më të vegjlit nga të gjithë shenjtorët”, por meqenëse mëshirat e Perëndisë u përkasin shenjtorëve si të tillë, dhe jo shenjtorëve të përparuar, apo shenjtorëve të mirëmësuar, mund ta ngremë edhe ne këtë pretendim dhe të themi: “Janë ata Izraelitë? Kështu jam edhe unë. Premtimet janë të miat, hiri është imi, dhe lavdia do të jetë imja.” Nëse një pretendim i tillë ngrihet me të drejtë, ai do të sjellë përdëllim të padëgjuar. Kur njerëzit e Perëndisë ngazëllehen se i takojnë Atij, sa lumturi e madhe është të jem në gjendje të them: “Edhe unë jam!”.
Kur ata thonë se janë falur, drejtësuar dhe pranuar në Shumë të Dashurin, sa gëzim është të përgjigjesh: “Falë hirit të Perëndisë, kështu jam edhe unë.” Mirëpo, ky pretendim jo vetëm që ka të mirat dhe privilegjet e Tij, por edhe kushtet dhe detyrat e tij. Duhet të bashkëndajmë me popullin e Perëndisë si mugëtirën e reve, ashtu edhe shkëlqimin e diellit. Kur e dëgjojmë dikë të flasë me përbuzje ose tallje rreth të krishterëve, duhet të bëjmë një hap para me guxim dhe të themi: “Kështu jam edhe unë.” Kur i shohim ata duke punuar për Krishtin, duke vënë kohën, dhuntitë e tyre dhe gjithë zemrën e tyre në dispozicion të Jezusit, duhet të jemi në gjendje të themi: “Kështu bëj edhe unë.” Prandaj, le ta dëshmojmë mirënjohjen tonë me përkushtimin tonë dhe të jetojmë si ata të cilët, pasi kanë pretenduar një privilegj, janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë që rrjedhin prej tij.
© dritez.al 2024