Prill 2023

Le të dalim, pra, tek ai jashtë fushës.

Hebrenjve 13:13

Duke mbajtur kryqin e Tij mbi supe, Jezusi doli të vuante jashtë portës. Arsyeja që ka i krishteri për t’u larguar nga fushimi i mëkatit dhe i fesë së kësaj bote, nuk është se ai dëshiron të jetë i ndarë nga të tjerët, por sepse Jezusi veproi kështu; dhe dishepulli duhet të ndjekë Mësuesin e vet. Krishti “nuk ishte nga bota”. Jeta dhe dëshmia e Tij ishin njc protestë e vazhdueshme kundër përshtatjes me botën. Edhe pse shfaqi një dashuri të pamasë për njerëzit, prapëseprapë, ai ishte i veçuar nga mëkatarët.

Po ashtu, edhe njerëzit e Krishtit duhet “të dalin tek ai”. Edhe ata duhet të zënë pozicionin e tyre “jashtë fushës”, si flamurtarë të së vërtetës. Duhet të jenë të përgatitur që të ecin përgjatë shtegut të drejtë e të ngushtë. Zemrat e tyre duhet të jenë të guximshme, të paepura, si prej luanësh, duke e dashur Krishtin të parin dhe të vërtetën e Tij të dytën, madje Krishtin dhe të vërtetën e Tij duhet t’i duan më shumë sesa gjithë botën. Jezusi do që njerëzit e tij “të dalin jashtë fushës” për shenjtërimin e tyre.

Nuk mund të rriteni në ndonjë masë të madhe në hir ndërkohë që jeni konformuar me këtë botë. Jeta e veçuar mund të jetë një shteg i mbushur me dhimbje, por nga ana tjetër, ajo është autostrada drejt sigurisë; dhe megjithëse jeta e veçuar mund të jetë e dhimbshme dhe e kthen çdo ditë në një betejë, prapëseprapë, ajo është një jetë e lumtur në fund të fundit. Nuk ka gëzim që t’ia kalojë atij të një ushtari të Krishtit; Jezusi e zbulon Veten me kaq hir dhe siguron një freskim kaq të këndshëm, saqë luftëtari ndihet më i qetë dhe ka paqe më të madhe në luftën e vet të përditshme nga sa kanë të tjerët në orët e tyre të çlodhjes.

Autostrada e shenjtërisë është autostrada e përbashkësisë. Në këtë mënyrë do të shpresojmë që ta fitojmë kurorën, vetëm nëse hiri hyjnor na aftëson që ta ndjekim besnikërisht Krishtin “jashtë fushës”. Kurora e lavdisë do të pasojë kryqin e veçimit. Turpi i një çasti do të shpërblehet mirë me nderim të përjetshëm, dhe të dëshmuarit, për pak kohë, nuk do të na duket asgjë, kur të jemi përgjithmonë me Zotin.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin