Prill 2023

Në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

Psalmi 118:12

Duke vdekur mbi kryq, Zoti ynë Jezus nuk bleu të drejtën vetëm mbi një pjesë tonën, por mbi gjithë njeriun. Duke vuajtur mbi kryq, Ai synoi shenjtërimin tonë të plotë në frymë, shpirt e trup, në mënyrë që në çdo fushë, Ai Vetë të sundojë në mënyrë supreme pa pasur rivalë. Është detyra e natyrës së ripërtërirë që Perëndia u ka dhënë të rilindurve, që të kërkojë të drejtat e Zotit Jezu Krisht.

Shpirti im, përderisa je fëmijë i Perëndisë, duhet të pushtosh atë çka mbetet prej vetes sate, që ende nuk është bekuar; duhet t’i nënshtrosh të gjitha fuqitë dhe pasionet e tua, dhe nuk duhet të gjesh kënaqësi derisa Ai që është Mbret për shkak të blerjes, po ashtu të njihet si Mbret edhe me anë të kurorëzimit të hirshëm dhe të mbretërojë mbi gjithçka tënden. Duke parë se mëkati nuk ka më të drejta mbi asnjë pjesë tonën, i hyjmë një lufte të drejtë e të ligjshme kur përpiqemi ta shporrim atë prej nesh në emër të Perëndisë. Duke qenë se trupi im është gjymtyrë e Krishtit, a do ta toleroj nënshtrimin e tij ndaj princit të errësirës?

O shpirti im, Krishti ka vuajtur për mëkatet e tua dhe të ka shpenguar me gjakun e Tij të vyer; mos lejo që kujtesa jote të bëhet një depo mendimesh të liga, ose që pasionet e tua të bëhen mundësi për mëkatin! Mos lejo që gjykimi yt të shtrembërohet nga gabimi ose që vullneti yt të bjerë në zinxhirët e paudhësisë! Jo, shpirti im, ti i përket Krishtit dhe mëkati nuk ka më asnjë të drejtë mbi ty.

Merr zemër në lidhje me këtë, o i krishterë! Mos u shkurajo, sikur armiqtë e tu frymërorë të ishin të pathyeshëm! Ti je në gjendje që t’i mposhtësh ata—por jo me fuqinë tënde—sepse edhe më i dobëti prej tyre është shumë i fortë për ty; por ti mundesh dhe do t’ia dalësh t’i mposhtësh ata me anë të gjakut të Qengjit. Nëse po vret mendjen se si mund t’i mundësh, duke qenë se ata janë më të mëdhenj e më të fuqishëm sesa ti, shko te i forti për të marrë forcë, prit me përulësi në Perëndinë, dhe Perëndia i pushtetshëm i Jakobit me siguri do të vijë të të shpëtojë dhe ti do të këndosh një këngë fitoreje në sajë të hirit të Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin