spurgeon dev 06 nëntor am
November 2023

Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje.

Isaia 44:3

Kur besimtarin e kanë kapluar trishtimi dhe ndjenja të tjera të përzishme, shpesh përpiqet që ta kapërcejë këtë situatë duke e dënuar veten me frikëra të zymta e brengosëse. Mirëpo, kjo nuk është mënyra e duhur për t’u ngritur nga pluhuri, përkundrazi, kështu vazhdojmë të zvarritemi në të. 

Ashtu siç nuk ia vlen që t’ia lidhësh krahët shqiponjës dhe të presësh që ajo të fluturojë, po kështu edhe dyshimi nuk sjell asnjë dobi për të na i rritur hiret. Nuk është ligji, por Ungjilli ai që e shpëton shpirtin e kërkuesit në fillim; dhe nuk është skllavëria e ligjit, por liria e Ungjillit ajo që mund ta ripërtërijë besimtarin e ligështuar më vonë. 

Frika prej skllavi nuk e kthen besëshkelësin te Perëndia, por joshjet e ëmbla të dashurisë e tërheqin atë te Jezusi. A ke etje këtë mëngjes për Perëndinë e gjallë? A je i trishtuar ngaqë nuk e gjen dot, pasi po të mund ta gjeje, kjo do të ishte kënaqësia e zemrës sate? A mos e ke humbur vallë gëzimin e Zotit dhe a mos është kjo vallë lutja jote: “Kthemë gëzimin e shpëtimit” (Psalmi 51:12)? 

A je po ashtu i vetëdijshëm për faktin se vetë je shterpë, porsi një tokë e tharë, se nuk po prodhon frytin që Perëndia ka të drejtë ta kërkojë prej teje, dhe se nuk je edhe aq i dobishëm në kishë ose në botë, sa do të dëshironte zemra jote? 

Nëse është kështu, ja ku e ke pikërisht premtimin që të nevojitet: “Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje.” Kështu do të marrësh hirin që të nevojitet aq dëshpërimisht, dhe do ta kesh atë me bollëk. 

Uji i përtërin të eturit: ti do të freskohesh dhe dëshirat e tua do të plotësohen. Uji e rizgjon jetën e përgjumur të perimeve: jeta jote do të ripërtërihet nga i freskëti hir.

Uji i bën të çelin sythet dhe i pjek frutat; po kështu, edhe ti do të bëhesh i frytshëm nga hiri i Perëndisë në udhët e Tij. Do ta shijosh deri në fund çdo cilësi të mirë që gjendet në hirin hyjnor. Do të marrësh me bollëk nga të gjitha pasuritë e hirit hyjnor, madje do të lagesh deri në palcë prej tyre: ashtu siç ndodh ndonjëherë që livadhet përmbyten nga lumenjtë të cilët dalin nga shtrati, dhe fushat kthehen në liqene, kështu do të bëhesh edhe ti—toka e etur do të bëhet burim ujërash.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>