spurgeon dev 06 nëntor pm
Nëntor 2023

“Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.”

Hebrenjve 9:20

Vetë emri i gjakut mbart një fuqi të çuditshme dhe pamja e tij lë gjithmonë mbresa të pashlyeshme. Një zemër e ndjeshme nuk duron dot as pamjen e një harabeli të gjakosur dhe, nëse nuk është mësuar me kohë, largohet e tmerruar nga një kafshë e therur. Për sa i përket gjakut të njerëzve, ai është një gjë e shenjtë: derdhja e tij në një çast zemërimi konsiderohet vrasje; madje, edhe derdhja e tij më kot në fushën e betejës është një krim i frikshëm. A mos vallë një solemnitet i tillë vjen për shkak se gjaku është jeta dhe derdhja e tij është një shenjë vdekjeje? Mendoj se është kështu. Kur ngrihemi për të soditur gjakun e Birit të Perëndisë, mahnitja na shtohet edhe më shumë, madje zëmë e rrëqethemi kur mendojmë për fajin e mëkatit dhe ndëshkimin e tmerrshëm që duroi Mëkatmbajtësi. Gjaku, i cili është përherë i vyer, bëhet edhe më i paçmueshëm kur rrjedh nga brinja e Emanuelit. 

Gjaku i Jezusit vulos besëlidhjen e hirit dhe e bën atë të sigurt për jetë e mot. Besëlidhjet e qëmotit vuloseshin me një flijim, dhe kështu ndodhi edhe me besëlidhjen e përjetshme. Oh, sa i madh është ngushëllimi që shpëtimi ynë qëndron mbi themelin e sigurt të zotimeve hyjnore, të cilat nuk mund të shkelen! Shpëtimi përmes veprave të ligjit është një anije e dobët dhe delikate, lundërthyerja e së cilës është një gjë e sigurt; por anija e besëlidhjes përparon sypatrembur drejt stuhive, sepse gjaku e ruan atë tërësisht të sigurt. Gjaku i Jezusit e bëri të vlefshme besëlidhjen e Tij. Asnjë testament nuk hyn në fuqi për sa kohë që trashëgimlënësit janë ende gjallë. 

Nga ky këndvështrim, heshta e ushtarit është një ndihmë e bekuar për besimin, ngaqë provoi se Zoti ynë vërtet kishte ndërruar jetë. Nuk mund të ekzistojë më asnjë dyshim mbi këtë gjë, dhe mund t’i përvetësojmë me guxim trashëgimitë që Ai ka lënë për njerëzit e Tij. Lum si ata që e kuptojnë se e drejta e tyre për bekimet qiellore u sigurua nga Shpëtimtari që vdiq! Mirëpo, a nuk na flet vallë ky gjak? A nuk na nxit vallë që të shenjtërohemi në Atë që edhe na ka shpenguar? A nuk na thërret vallë në risinë e jetës dhe na inkurajon që t’i përkushtohemi Zotit me gjithçka jemi e kemi? O sa mirë do të ishte sikur fuqia e gjakut të na bëhej e njohur dhe të mund ta ndienim sonte!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin