Mars 2023

“Duhet të lindni përsëri.”

Gjoni 3:7

Rilindja është një çështje që qëndron në vetë themelin e shpëtimit, prandaj duhet të jemi shumë të zellshëm, në mënyrë që të sigurohemi që vërtet “të lindim përsëri”, sepse të shumtë janë ata të cilët ëndërrojnë se janë të rilindur, por që në të vërtetë nuk janë. Dije mirë se të quhesh i krishterë, nuk është e njëjta gjë me të qenët i krishterë, dhe se fakti që ke lindur në një vend të krishterë, dhe njihesh se shpall fenë e krishterë, nuk është aspak i rëndësishëm, po qe se asaj nuk i shtohet një gjë tjetër. 

“Të lindurit përsëri” është një çështje kaq e mistershme, saqë fjalët e njeriut as që mund ta përshkruajnë dot. “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por nuk e di nga vjen dhe ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që është lindur nga Fryma.” Megjithëkëtë, është një ndryshim që njihet dhe ndihet—njihet përmes veprave të shenjtërisë dhe ndihet përmes një përvoje të hirshme. Kjo kryevepër është e mbinatyrshme. Nuk është një veprim që një njeri e bën me forcat e veta, por, përkundrazi, përçohet një kuptim i ri, i cili punon në zemër, përtërin shpirtin dhe ndikon gjithë qenien njerëzore. 

Nuk ndryshon vetëm emri im, por ripërtërihet e gjithë natyra ime, kështu që nuk jam më ai që isha, por një njeri i ri në Krishtin Jezus. Ta lash dhe ta veshësh një kufomë është një gjë krejt ndryshe sesa ta ringjallësh atë: njeriu arrin të bëjë të parën, por vetëm Perëndia mund ta bëjë të dytën. Atëherë, nëse keni “lindur përsëri”, nga goja juaj duhet të dalë ky pohim: “O Zoti Jezus, Atë i përjetshëm, Ti je Prindi im frymëror; po të mos kishte hukatur Fryma Jote frymën e jetës së re, të shenjtë dhe frymërore në mua, unë do të isha edhe sot e kësaj dite i vdekur në shkelje dhe në mëkate. ‘Jeta ime qiellore është plotësisht falë Teje dhe vetëm Ty të takon merita për të. Jeta ime është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.’ Nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua.”

Zoti na dhëntë sigurinë për këtë çështje thelbësore, sepse të mos jesh i rilindur, do të thotë të jesh i pashpëtuar, pa falje, pa Perëndinë dhe pa shpresë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin