Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut lartohet.
Fjalët e Urta 18:12
Një thënie e vjetër dhe e njohur thotë se “në të tashmen duken hijet e ngjarjeve të së ardhmes”. I urti [i Fjalëve të Urta] na mëson se një zemër krenare është pararendësja e fatkeqësisë. Krenaria është një shenjë po aq e sigurt e ardhjes së shkatërrimit, sa edhe ndryshimi i merkurit në barometër tregon ardhjen e shiut, madje një shenjë më e pagabueshme sesa kjo e dyta. Sa herë që njerëzit e kanë mbajtur veten me të madh, shkatërrimi ka rënë gjithnjë mbi ta.
Le të na tregojë zemra e lënduar e Davidit se shkëlqimi i lavdisë së njeriut zvetënohet kur ky dalldiset mbas vetë madhërisë së tij (2 i Samuelit 24:10). Shihni Nebukadnetzarin, ndërtuesin e fuqishëm të Babilonisë, tek zvarritet mbi tokë, duke ngrënë bar si qetë, derisa flokët e tij u rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve (Danieli 4:33). Krenaria e ktheu mburravecin në një bishë, ashtu si dikur e ktheu engjëllin në djall. Perëndia i urren shikimet krenare dhe ia arrin gjithmonë qëllimit për t’i ulur poshtë ato. Të gjitha shigjetat e Tij janë drejtuar për nga zemrat krenare.
O i krishterë, a është zemra jote kryelartë sonte? Krenaria mund të përvidhet në zemrën e të krishterit, po ashtu si në atë të mëkatarit, dhe mund ta mashtrojë atë që duke ëndërruar t’i thotë vetes: “ [Jam] i pasur, dhe jam pasuruar dhe s’kam nevojë për asgjë” (Zbulesa 3:17). A mos po lëvdohesh me virtytet ose dhuntitë e tua? A mos je krenar për veten dhe përvojat e tua frymërore?
Ki kujdes, lexues—shkatërrimi po hedh hijet e para mbi ty! Lulëkuqet e tua valëvitëse të mendjemadhësisë do të shkulen me rrënjë, virtytet e tua kërpudhore do të thahen nën zhegun përcëllues dhe vetëmjaftueshmëria jote do të bëhet si kashtë për pleh. Nëse ne harrojmë të jetojmë poshtë kryqit me përulësinë më të thellë frymërore, Perëndia nuk do të harrojë të na ndreqë për dobinë tonë. Shkatërrimi do të bjerë mbi ty, o besimtar, që e mban veten me të madh, shkatërrimi i të gjitha gëzimeve dhe ngushëllimeve të tua, edhe pse shpirti do t’i shpëtojë rrënimit. Për këtë arsye, “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 e Korintasve 1:31).
© dritez.al 2024