“Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim.”
Jobi 14:14
Një qëndrim i shkurtër këtu mbi tokë do ta bëjë qiellin edhe më qiellor. Asgjë tjetër nuk e bën çlodhjen më të ëmbël sesa puna e mundimshme; asgjë tjetër nuk e bën sigurinë më të këndshme sesa ekspozimi ndaj rrezikut. Kupat me pelinin e hidhur të kësaj bote e bëjnë edhe më të shijshme verën e re, që shkumëzon në kupat e florinjta të qiellit. Armaturat tona të shtypura nga goditjet dhe fytyra tona me vraga plagësh do ta bëjnë edhe më madhështore fitoren tonë atje lart, kur të mirëpritemi [për t’u ulur] në fronet e atyre që kanë ngadhënjyer mbi botën.
Ne nuk do të kishim përbashkësi të thellë me Krishtin nëse nuk do të banonim për njëfarë kohe këtu poshtë, sepse Ai u pagëzua me një pagëzim vuajtjeje mes njerëzve, madje, të njëjtin pagëzim duhet ta marrim edhe ne, nëse duam të kemi pjesë në mbretërinë e Tij. Përbashkësia me Krishtin na nderon kaq shumë, saqë pikëllimi më i madh është një çmim i papërfillshëm për t’u paguar, me qëllim që ta kemi atë.
Një arsye tjetër për vonesën tonë këtu poshtë është për të mirën e të tjerëve. Nuk do të donim të shkonim në qiell pa e përfunduar punën tonë, dhe ka shumë gjasa që ne të kemi ende një rol për të luajtur, duke shkëlqyer si dritë në shkretëtirën e errët të mëkatit.
Qëndrimi ynë i zgjatur këtu poshtë është pa dyshim për lavdinë e Perëndisë. Një shenjtor i sprovuar, duke qenë si një diamant i prerë me finesë, shkëlqen tej mase në kurorën e Mbretit. Punëtorin nuk e nderon asgjë më tepër sesa një sprovë e stërzgjatur dhe e ashpër gjatë punës së tij, si dhe përballimi i saj me sukses, pa u dorëzuar apo pa hequr dorë. Ne jemi vepra e Perëndisë, dhe Ai do të përlëvdohet nga pikëllimet tona. Pikërisht në nderim të Jezusit, ne e përballojmë sprovën e besimit tonë me gëzim të shenjtë. Gjithsecili prej nesh duhet t’ia dorëzojë dëshirat e tij të zjarrta lavdisë së Jezusit dhe të deklarojë: “Sikur falë dergjjes sime Zoti të lartësohej qoftë edhe një centimetër të vetëm, atëherë, lërmëni të dergjem përtokë! Nëse të jetuarit tim për jetë e mot në këtë botë, do ta bënte Zotin tim edhe më të lavdishëm, për mua do të ishte parajsë, edhe sikur të më mbylleshin vetë portat e parajsës.”
Koha jonë është caktuar dhe përcaktuar nga dekreti i përjetshëm. Ndaj, le të mos shqetësohemi për të, por le të presim me durim derisa portat e margaritarta të hapen [përpara nesh]!
© dritez.al 2024