“Por ai që më dëgjon do të banojë në një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe.”
Fjalët e Urta 1:33
Dashuria hyjnore bëhet edhe më e dukshme teksa shndrit në mes të gjykimeve. Sa xixëllon ai ylli vetmitar që buzëqesh mes të çarave të reve të ngarkuara me shi; sa i këndshëm është oazi që lulëzon në mes të shkretisë së rërave; po kaq e bukur dhe e shkëlqyeshme është dashuria që fshihet në mes të zemërimit. Kur izraelitët ngjallën zemërimin e Shumë të Lartit për shkak të idhujtarisë së tyre të vazhdueshme, Ai i ndëshkoi duke u hequr edhe vesën, edhe shiun, kështu që toka e tyre vuajti nga një zi buke e tmerrshme; mirëpo, tek e bëri këtë, u kujdes që të zgjedhurit e Vet të ishin të sigurt. Edhe sikur të gjithë përrenjtë e tjerë të thahen, prapëseprapë do të mbetet një për Elian; madje edhe kur ai përrua të thahet, Perëndia ende do të sigurojë për të një vend ku ai të ushqehet. Jo vetëm kaq, por Zoti kishte edhe një mbetje sipas zgjedhjes së hirit, të cilët ishin fshehur nga pesëdhjetë vetë në një shpellë. Edhe pse zia e bukës sundonte kudo në vend, megjithatë, këto grupe me nga pesëdhjetë në shpella u ushqyen, madje u ushqyen nga tryeza e Ashabit prej dorës së Abdias, shërbëtorit besnik i cili kishte frikë nga Perëndia (1 i Mbretërve 18:1-16).
Nga e tëra kjo, le të nxjerrim përfundimin se, çfarëdo që të ndodhë, populli i Perëndisë do të jetë i sigurt. Le të dridhet toka e fortë, le të çahen më dysh edhe qiejt, por, mes gërmadhave të botës, besimtari do të jetë po aq i sigurt sa edhe në orën më të qetë të çlodhjes. Në qoftë se Perëndia nuk mund t’i shpëtojë dot të Vetët nën qiell, me siguri që do t’i shpëtojë ata në qiell. Në qoftë se bota bëhet shumë e nxehtë për t’i mbajtur ata, atëherë qielli do të kthehet në destinacionin dhe vendstrehimin e tyre. Pra, ki besim, edhe atëherë kur të dëgjosh për luftëra dhe për ushtima luftërash! Zemra jote mos u trazoftë; mos ki frikë nga çfarëdo e keqe! Çfarëdo që të ndodhë në tokë, besimtari është i strehuar nën krahët e gjerë të Jahveh-ut dhe do të jetë i sigurt. Qëndro në premtimin e Tij; prehu në besnikërinë e Tij dhe sfidoje edhe të ardhmen më ogurzezë, sepse në të nuk fshihet asgjë e kobshme për ty! Shqetësimi yt i vetëm duhet të jetë që t’i dëshmosh botës se sa bekim i madh është t’i kushtosh vëmendje zërit të urtësisë.
© dritez.al 2024