spurgeon dev 06 korrik pm
Korrik 2023

“Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia?”

Jobi 13:23

A e ke vrarë ndonjëherë vërtet mendjen dhe e ke shqyrtuar se sa i madh është mëkati i popullit të Perëndisë? Mendo pak se sa të neveritshme janë vetë shkeljet e tua dhe do të zbulosh se jo vetëm që ngrihen si mal, një mëkat këtu dhe një tjetër atje, por se paudhësitë e tua janë bërë kapicë njëra mbi tjetrën, ashtu si në gojëdhënën e lashtë të titanëve që vendosën Pelionin mbi Osën*, mal përmbi mal. Ç’kapicë e madhe mëkati gjendet në jetën e një prej fëmijëve më të shenjtëruar të Perëndisë! Bëje provë ta shumëzosh këtë, mëkatin e një të vetmi, me numrat pa fund të të shpenguarve, “një turmë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte” (Zbulesa 7:9), dhe do të krijosh njëfarë ideje të masës së madhe të fajit të njerëzve për të cilët Jezusi derdhi gjakun e Tij. Mirëpo, ne arrijmë të krijojmë një ide më të saktë të madhësisë së mëkatit duke pasur parasysh se çfarë kure madhështore u gjet për të.

Dhe kjo kurë është gjaku i Jezu Krishtit, Birit të vetëm dhe shumë të dashur të Perëndisë. Biri i Perëndisë! Engjëjt i hedhin kurorat e tyre përpara Tij! Të gjitha simfonitë korale të qiellit e rrethojnë fronin e Tij të lavdishëm. “Përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen” (Romakëve 9:5). E megjithatë, Ai merr mbi Vete trajtën e një shërbëtori dhe fshikullohet e tejshpohet, lëndohet e dërrmohet, dhe në fund bie theror, sepse shkeljet tona mund t’i shlyente veç gjaku i Birit të mishëruar të Perëndisë.

Asnjë mendje njerëzore nuk mund ta vlerësojë ashtu si duhet vlerën e pafundme të sakrificës hyjnore, sepse edhe pse mëkati i popullit të Perëndisë është i madh, shlyerja që e fshin atë, është pafundësisht më e madhe. Prandaj, edhe atëherë kur mëkati rreket ta mbulojë sërish si përmbytje dhe kur kujtimet e hidhura të së kaluarës i kthehen në mendje, prapëseprapë, besimtari mund të qëndrojë përpara fronit të zjarrtë të Perëndisë të madh dhe të shenjtë, dhe të thërrasë: “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai edhe u ringjall” (Romakëve 8:34). Dhe ndërsa kujtimi i mëkateve të tij e mbush me turp dhe pikëllim, vetë errësira e mëkatit shërben për të treguar shkëlqimin e mëshirës; faji është nata e zezë në të cilën ylli i ndritshëm i dashurisë hyjnore shndrit me një vezullim plot paqe.

*Djemtë gjigantë të Ifimedias, të cilët u përpoqën të arrinin në Olimp duke e vendosur malin Pelion mbi malin Osa (Odisea).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin