spurgeon dev 06 gusht pm
August 2023

Tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

Psalmi 72:19

Kjo është një kërkesë madhështore. Nevojitet besim i madh për të ndërmjetësuar për një qytet të tërë, madje ka raste kur lutja për një njeri të vetëm, mjafton që të na bëjë të na dridhen leqet e këmbëve. Mirëpo, sa i pakufishëm ishte ndërmjetësimi i psalmistit që po ndërronte jetë! Sa gjithëpërfshirës! Sa sublim! “Tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij.” Një përgjërim i tillë nuk përjashton as edhe një vend të vetëm, sado i shtypur nga besëtytnitë që mund të jetë; madje nuk shpërfill as edhe një komb të vetëm, sado barbar qoftë ai. Kjo lutje vlen për terroristin, si dhe për të qytetëruarin, për të gjitha vendet dhe racat: ajo përfshin gjithë rruzullin tokësor dhe nuk lë jashtë askënd. Kjo do të thotë se duhet të jemi vazhdimisht aktivë për Zotërinë tonë, ose përndryshe nuk mund ta drejtojmë kurrë me ndershmëri një lutje të tillë. Përgjërimi nuk konsiderohet i bërë me një zemër të sinqertë për sa kohë që nuk përpiqemi, falë ndihmës së Perëndisë, që ta zgjerojmë mbretërinë e Zotit tonë.

A nuk janë vallë disa që e lënë pas dore si lutjen, ashtu edhe punën? Lexues, a është kjo lutja jote gjithashtu? Ktheje vështrimin drejt Golgotës! Pa vështroje Zotin e Jetës, të gozhduar mbi kryq, me një kurorë gjembash mbi krye, me kokë, duar dhe këmbë të gjakosura! Çfarë?! A mund ta vështrosh dot vallë këtë mrekulli të mrekullive, vdekjen e Birit të Perëndisë, pa ndier në kraharor një adhurim të mrekullueshëm që nuk ka gjuhë që ta shprehë? Dhe kur e ndien se si vepron ai gjak në ndërgjegjen tënde dhe e di se t’i ka pastruar të gjitha mëkatet, nuk je burrë i vërtetë po qe se nuk kërcen përpjetë, duke klithur: “Tërë toka qoftë mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.”

A mund të përulesh vallë përpara të Kryqëzuarit me adhurim plot përulje dhe të mos duash ta shohësh Mbretin tënd, si Sundues të mbarë botës? Nëse nuk dëshiron ta shohësh Atë si sunduesin e gjithësisë, atëherë, ti thjesht hiqesh sikur e do Princin tënd. Perëndishmëria jote është e pavlerë po qe se nuk të shtyn të dëshirosh që e njëjta mëshirë që të është dhënë ty, të mund të bekojë gjithë botën. Zot, është koha e të korrave; bëje gati draprin Tënd dhe korr!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>