Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet net.
1 i Mbretërve 19:8
E gjithë fuqia që na falet nga Perëndia ynë i hirshëm, ka për qëllim të përdoret për t’i shërbyer Atij, dhe jo për vetëkënaqësi a mburrje. Kur profeti Elia e gjeti kulaçin e pjekur mbi gurë të nxehtë dhe enën me ujë të vendosur te koka e tij, tek pushonte nën një gjineshtër, atij nuk po i jepej ky ushqim i zgjedhur që të shtrihej rehat-rehat dhe ta shijonte, por përkundrazi, po i jepej forcë që të mund të përmbushte përgjegjësitë e tij për 40 ditët e 40 netët që do të pasonin. Kur Mësuesi i ftoi dishepujt të vinin e të hanin me Të, pasi kishte mbaruar vakti, i tha Pjetrit: “Kulloti delet e mia”, duke shtuar gjithashtu: “Ti ndiqmë!”.
E njëjta gjë vlen edhe për ne; e hamë bukën e qiellit, me qëllim që ta harxhojmë fuqinë tonë në shërbim të Mësuesit. Vijmë te tryeza dhe hamë nga qengji i Pashkës me frymën e gatishmërisë, me qëllim që të nisemi për rrugë menjëherë pasi ta kemi shuar urinë.
Disa të krishterë e pranojnë të jetuarin me anë të Krishtit, por nuk janë edhe aq të etur të jetojnë për Krishtin. Teksa jemi këtu në tokë, duhet të përgatitemi për qiellin; dhe ky i fundit është vendi ku shenjtorët festojnë shumë e punojnë shumë. Ata ulen në tryezën e Zotit tonë, i shërbejnë Atij ditë e natë në tempull, hanë ushqim qiellor dhe ofrojnë shërbim të përsosur.
Besimtar, puno për Krishtin me forcën që Ai të fal ditë për ditë! Disa prej nesh kanë ende shumë për të mësuar rreth synimit për të cilin Zoti ynë na e fal hirin e Vet. Nuk duhet t’i fshehim kokrrat e çmuara të së vërtetës, pa i dhënë asaj së vërtete asnjë mundësi për t’u rritur: ne duhet ta mbjellim dhe ta ujisim. Përse vallë e dërgon Zoti shiun mbi tokën e tharë për ujë dhe i jep rreze dielli? Vallë, a nuk e bën këtë që dielli dhe shiu të mund t’i ndihmojnë frytet e tokës të prodhojnë ushqim për ne? Në mënyrë të ngjashme, Zoti i ushqen dhe i rigjallëron shpirtrat tanë, me qëllim që ta përdorim forcën tonë të ripërtërirë për të shpallur dhe çuar përpara lavdinë e Tij.
© dritez.al 2024